Aksionet e “Tesla”-s ranë më shumë se 6 përqind pas dështimit në prezantimin e modelit të ri të makinës “Cybertruck”.
Kryevepra dhe revolucioni i radhës i “sjellë në jetë” nga gjigantët e prodhimit të makinave elektrike, pretendohej se ishte e “pashkatërrueshëm”. Megjithatë, gjatë prezantimit nga Elon Musk mbi “Cybertruck” u bënë prova të ndryshme për të vërtetuar fortësinë e makinës, por testi i dritareve rezultoi jashtë pritshmërive, me automjetin që përfundoi me xhama të krisur.
Forbes shkruan se pas këtij momenti të “sikletshëm”, Elon Musk humbi 768 milionë dollarë, nga pasuria e tij që llogaritet rreth 23.6 miliardë dollarë.
“Monstra” e re e Teslas do të jetë e gjatë 588 centimetra dhe 190 centimetra e gjerë, ndërsa do të ketë kapacitet deri në 6 vende. Çmimet do të varjojnë nga 40 mijë deri në 70 mijë dollarë dhe makina do të dalë në treg vitin e ardhshëm.
Pavarësisht gafës në prezantim, Musk ka bërë të ditur se deri tani ka marrë 150 mijë porosi për makinën e re.