7 pallateve në Laç u vendoset shirit si të pabanueshëm

Tërmeti i fuqishëm i mëngjesit të së martës, nuk ka shkaktuar dëme të konsiderueshme vetëm në Durrës dhe në Thumanë, atje ku fatkeqësisht ka pasur me dhjetëra viktima.

Po ashtu, raportohet se edhe në Laç, shumë ndërtesa kanë pësuar dëmtime serioze.

Një blloku prej 7 pallatesh në Laç u është vendosur shiriti si të pabanueshëm. Ka rënie suvaje, por më kryesorja disa kanë pasur dëmtime edhe të strukturës.

Banorët shprehin shqetësimin se efektivët e policisë bashkiake nuk i kanë lejuar të futen në banesa. Po ashtu, ata shprehen të shqetësuar dhe kërkojnë që një punonjës policie të vendoset në hyrje të pallateve për të mos lejuar vjedhjet.

“Pallati është dëmtuar komplet. Është shkatërruar, rrezikon të shembet. Ne i kemi boshatisur pallatet, por unë po rri këtu pasi nuk kam ku të shkojë”, shprehet një prej banorëve.

Banorët thonë se pallati ka pasur dëmtime edhe në tërmetin e 21 shtatorit, por sipas tyre, institucionet nuk kanë reaguar në atë kohë.

Sipas banorëve, këto pallate janë ndërtuar në vitin 1987.