Alarmi i inxhinieres: Godinat me probleme strukturore, mungon kodi i ndërtimit

Inxhinierja Luljeta Bozo ngre alarmin mbi sigurinë e objekteve në Shqipëri dhe mungesën e kuadrit ligjor për të kontrolluar dhe disiplinuar ndërtimet në vend.

Bozo pohon se objektet që u shembën në Durrës dhe Thumanë kanë pasur probleme të theksuara strukturore dhe janë ndërtuar në zona që nuk lejohet të ndërtohet.

Ajo apelon që qeveria, sa më parë duhet të miratojë në Kuvend kodin e ndërtimit dhe në bazë të tij të krijojë një grup me ekspertë të fushës për kontrolluar godinat ekzistuese dhe për të vendosur standarte të detyrueshme për ato që do të ngrihen.

“Ndërtimet, në ato zona ku kanë ndodhur shembjet, kanë qenë patjetër me probleme. Një ndërtim i projektuar drejt, nuk pëson gjë. Inxhinierët kur bëjnë llogaritjet marrin parasysh çfarë objekti po projektojnë, sa të gjatë e ka jetën dhe sa herë mund të përballet me tërmetet. Inxhinieri mund të marrë masa deri për tërmete 9 ballë me shkallën e vjetër. Shqipëria ndodhet në zonën që quhet “Brezi i zjarrtë” që është gjithë zona e Mesdheut. Është kufiri ndarës i dy pllakave EuroAzisë me Afrikën dhe në këtë zonë ndodhin 25% e tërmeteve që ndodhin në botë. Njerëzit duhet ta kuptojnë që ne jemi në një hapësirë që do të lëkundemi herë pas here”, sqaron inxhinierja Bozo.