Basha: Nuk kemi institucione të përgatitura për këto ngjarje

basha 9 600x338

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, pasi pa nga afër situatën në Thumanë, deklaroi për mediat se institucionet tona nuk janë të përgatitura për ngjarje të tilla si tërmeti i fortë që goditi vendin ditën e djeshme.

“Nuk kemi institucione të përgatitura për këto ngjarje. Shpreh mirënjohjen për të gjithë punonjësit e policisë dhe zjarrfikësve, por i pamë vetë se si erdhën efektivë nga jashtë shtetit dhe sollën me vete pajisjet e duhura për të përballuar emergjencën”, deklaroi kreu i PD-së.

Gjithashtu, Basha nënvizoi se “duheshin evidentuar të gjitha objektet që janë në rrezik”.

“Pallatet në Thumanë nuk duhet të ishin të banuara pasi ishin goditur rëndë më parë”, theksoi Basha, i cili kërkoi nga qeveria që të mbështesë financiarisht për 6 muaj familjet e prekura nga tërmeti dhe të mendojë për ta një alternativë banimi dhe jo t’i lërë në çadra.