Flet i mbijetuari nga tërmeti: Zjarrfikësi hero, kur pashë projektorët sikur më erdhi sërish jeta

Pas 24 orë kërkimesh intensive nga forca të operacionit të kërkim-shpëtimit, Fatmir Gjana, është nxjerrë mëngjesin e sotëm shëndosh e mirë nga rrënojat e pallatit 5 katësh të shembur në lagjen 6 të Durrësit. Ai tregon për A2, momentet e tmerrit të përjetuar, aty ku shpresat për t’ia dalë me sukses, ishin të pakta.

“Në momenti që ka rënë tërmeti isha në derën e dhomës. Aty humba çdo gjë, nuk lëvizja dot as këmbët as gjunjët.  Kisha rrënojat tre gishta larg fytyrës, por i vetëdijshëm gjithë kohës, deri sa kam komunikuar me zjarrfikësin dhe më pyetën si e kisha emrin. Ishte shumë e vështirë, se kati i dytë i joni ishte zhytur në tokë. Kanë hapur një tunel me ekskavator, e pashë në video sot”.

Fatmir Gjata i intervistuar nga A2 Elitjona DOko

Gjatë këtij rrëfimi ekskluziv, i mbijetuari nuk heziton të falënderojë “heronjtë” e operacionit të kërkim-shpëtimit, të cilët pas një ndërhyrje prej rreth 24 orësh, kanë mundur ta nxjerrin shëndosh e mirë.

“Personi që më shpëtoi ishte një hero. Hyri në galeri deri tek unë, doli jashtë të marrë oksigjen, u kthye prapë të gërmonte. Kur pashë projektorët, sikur më erdhi sërish jeta”.

Pallati i rrënuar

Fatmiri, tregon momentin e dhimbshëm kur ka parë për herë të fundit para tërmetit, bashkëshorten e tij, Xhulin, e cila rezulton ende e zhdukur nën rrënojat e pallatit 5 katësh të shembur në lagjen 6 të Durrësit. Sipas tij, shpresat që të ajo të jetë ende gjallë, janë të pakta, por ende shpreson.

“Kur ra tërmeti, ajo shkoi nga dera kryesore, unë te dera e dhomës. Aty gjithçka mori fund dhe nuk di gjë për të.  Vazhdojnë kërkimet, por shpresat janë të pakta, nuk besoj”, thotë ai.  

Kërkimet për gjetjen e bashkëshortes së Fatmirit vijojnë nga grupet e kërkim-shpëtimit të përforcuar mëngjesin e sotëm dhe nga Izraeli dhe Franca.