“Gjendja e jashtëzakonshme, barrë e rëndë për qeverinë”

27 NENTOR A2 BUSINESS WEEK CLEN frame 46075 1100x620

Që prej mëngjesit të së mërkurës, më saktësisht që prej orës 7, qeveria ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme. Kjo nënkupton se nga ekzekutivi merret përsipër detyrimi për kompensimin në masën 100% të të gjitha dëmeve që ka shkaktuar tërmeti në qarqet e Durrësit dhe Tiranës. Mësohet gjithashtu, se gjatë pasdites ka nisur puna për rivlerësimin e të gjitha dëmeve të shkaktuara në ndërtime, përfshi këtu banesa, biznese. Vetëm në përfundim të këtij procesi do të mësohet edhe fatura që duhet paguar.

Situata e krijuar nga tërmeti 6.3 i shkallës rihter ishte tema e diskutimit në A2 Business Week këtë të mërkurë.

Sa i përket shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, për Pano Sokon kjo është një barrë e rëndë për qeverinë. “Shpresoj që qeveria të jetë sa më serioze për kompensimin e dëmeve. Megjithatë nuk është e lehtë pasi situata ekonomike nuk është e mirë. Buxheti i shtetit do ta ndjejë peshën e kësaj fature të ardhur nga këto dëme. Shpresoj shumë që të jetë korrekte”, u shpreh Pano Sako, nga shoqëria civile.

Kreu i Dhomës së Tregtisë, Nikolin Jaka foli për sensibilizimin e të gjitha zonave të biznesit. “Jemi në një koordinim të plotë me Odën Ekonomike në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut. Solidariteti ka qenë i jashtëzakonshëm dhe kemi ardhjen e parë nga Kosova. Ndërkohë, sipërmarrja shqiptare ka filluar menjëherë të grumbullojë ndihma. Solidariteti këtë herë ka qenë i jashtëzakonshëm. 40 maune me produkte të ndryshme vijnë sipas nevojave nga Kosova, janë nisur po ashtu 40 maune nga Maqedonia. 300 mijë euro janë mbledhur nga llogaritë e hapura në Maqedoni dhe në Kosovë. Edhe sipërmarrja shqiptare ka derdhur mbi 30 milionë”, u shpreh Nikolin Jaka.

Por për mënyrën dhe cilësinë me të cilët janë ndërtuar banesat foli në A2 Business Week, Artur Roshi, ish-drejtues i Institutit të Ndërtimit.

“Duhet të kemi një plan strategjik për të ardhmen, e cila ka të bëjë me kondicionet e kushteve teknike të projektimit dhe zbatimit të gjithë objekteve. Së pari, duhet të nisemi nga shkaqet, së dyti, nga pasojat dhe së treti në rivitalizimin e situatës. Kushtet e zbatimit duhet të verifikohen. Po ashtu edhe studimi gjeologjik. Duhen bërë patjetër këto ekzaminime, por edhe për produktet e ndërtimit”, thotë Roshi.