Gjendja e jashtëzakonshme, mënyrat e sigurimit të fondeve për kompensimin e dëmeve – A2

Gjendja e jashtëzakonshme, mënyrat e sigurimit të fondeve për kompensimin e dëmeve

Qeveria ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, çka nënkupton që merr përsipër në masën 100% kompensimin e të gjitha dëmeve që ka shkaktuar tërmeti 26 nëntorit. Po ku do të gjenden paratë?

Burimi i parë i sigurimit të fondeve është rishikimi i buxhetit të këtij viti me akt normativ. E thënë ndryshe, qeveria do të shkurtojë shpenzimet në zërat e tjerë të buxhetit dhe ti transferojë ato për fondin e emergjencës për kompensimin e dëmeve.

Burimi i dytë është ndryshimi i buxhetit të vitit të ardhshëm. Drafti është miratuar tashmë në parim në kuvend dhe pritet që më datë 4 dhjetor të kalojë në seancë plenare për miratimin në parim. Ky është momenti kur qeveria pritet të paraqesë amendamente për ndryshimin e zërave të shpenzimeve, me qëllim gjenerimin një pjese të fondeve të nevojshme.

Burimi i tretë është rishikimi i transfertës së kushtëzuar dhe të pakushtëzuar për bashkitë. E thënë ndryshe, të shtohet transferta për bashkinë Durrës, me qëllim mbulimin e një pjese të dëmeve që ka shkaktuar tërmeti.

Sigurimi i një pjese të fondeve pritet të bëhet edhe nga burimet alternative, që nënkupton ndihmat nga vendet partnere dhe organizata, në të cilat Shqipëria është pjesë.

Në këtë moment të situatës, ende nuk dihet sesa është fatura që duhet paguar në kuadër të gjendjes së jashtëzakonshme. Ajo do të dalë, pasi të bëhet edhe rivlerësimi i dëmeve të banesave në terren.

Shkarkoni aplikacionin e A2