Ndihmat për të dëmtuarit, Xhaçka: Të kanalizohen përmes Shtabeve të Emergjencës

Olta Xhacka zjarret 1100x620

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka doli në një konferencë për shtyp mbrëmjen e së mërkurës ku falënderoi të gjithë qytetarët dhe vendet partnere që janë solidarizuar në këtë moment të vështira për vendin, duke kontribuar me ndihma në para dhe ushqime për personat e prekur nga kjo fatkeqësi.

Por që këto kontribute të shkojnë atje ku është me e nevojshme, sipas ministres Xhaçka, duhet të kanalizohen përmes Shtabeve të Emergjencës, ngritur pranë prefekturave dhe Emergjencave Civile.

“Aktualisht, përveҫ ndihmës që ka vërshuar nga qytetarë shqiptarë nga ҫdo anë e Shqipërisë, Kosovës dhe botës, kemi pasur një solidaritet të jashtëzakonshëm edhe nga partnerët, nga shtete të ndryshme përmes marrëdhënieve tona dypalëshe. Thirrja ime ju drejtohet të gjithë qytetarëve, shoqatave e bizneseve, që duan të ndihmojnë. Vërshimi i ndihmave, donacioneve e dhuratave, ofertave për ndihmë e punë vullnetare është aq e madhe saqë në këtë moment bëhet e domosdoshme që kjo ndihmë të koordinohet e të organizohet për të qenë sa më efikase. Por që këto ndihma te shkojnë në destinacionin e duhur  është e domosdoshme që ato të kanalizohen përmes Shtabeve të Emergjencës ngritur pranë prefekturave dhe Emergjencave Civile”, tha Xhaçka.

Ministrja e Mbrojtjes bëri publike numrat e telefonit për personat që duan të bëjnë donacionet dhe falënderoi bankat për vendimin e tyre për të hequr komisionet për të gjitha transaksionet për këtë çështje kaq të madhe.

“Çdokush që dëshiron të kontribuojë është i ftuar që ta kanalizojë donacionin përmes Rezervave të Shtetit dhe Komandës Mbështetëse të Forcave të Armatosura, përmes numrave të mëposhtëm: 04 22 22 223, 04 22 28 250, 0688046664. Këto numra janë në dispozicion të qytetareve 24 orë, 7 ditë të javës. Gjej rastin këtu, të falënderoj bankat e nivelit të dytë, që nga sot, kanë hequr komisionet për ҫdo donacion apo transfertë vullnetare që shkon në fondin për përballimin e tërmetit”, shtoi Xhaçka.

Të njëjtën thirrje, ministrja përsëriti dhe për bizneset që duan të ndihmojnë me rindërtimin e banesave. Ajo shtoi se aktualisht ka nisur strehimi i dhjetëra banorëve të prekur në hotelet e zonës, pas marrëveshjes së arritur.

“Ashtë arritur të sigurohet përmes një marrëveshje kontraktuale afatgjate të lidhur nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit me hotelet më të mira në vend, në Durrës, Tiranë, Vlorë etj.  Do t’i ftonim qytetarët që aktualisht janë të strehuar në ҫadra në stadiumi e Durrësit që të zhvendosen për t’u strehuar në një nga këto njësi akomodimi, ku do të kenë jo vetëm kushte shumë më cilësore jetese, por edhe ushqim. Aktualisht, janë mbi 100 qytetarë që po transferohem teksa flasim, nga stadiumi “Niko Dovana” në Durrës drejt këtyre strukturave hoteliere, por, në total janë në dispozicion 1500 shtretër për të gjithë ata banorë që janë për t’u zhvendosur”, përfundoi Xhaçka.