Shqipëria në zi kombëtare, flamuri ulet në gjysmështizë në çdo institucion

Flamuri shqiptar është në gjysmë shtizë. Vendi jeton ditë zie kombëtare, pasi tërmeti u mori jetën dhjetëra shqiptarëve.

Vendimi u mor në mbledhjen e qeverisë dhe të gjithë institucionet kanë ulur flamurin në gjysmë shtizë.

Ndryshe nga çdo vit, ku në pritje të festës së shpalljes së pavarësisë dhe çlirimit të vendit, flamuri valëvitej lart mbi çdo shtëpi e institucion. Këtë vit nuk do të ketë festime. Presidenti anuloi pritjen për festat kombëtarë. Edhe Bashkia e Tiranës nuk do të zhvillojë festimet e natës së bardhë.

Ankthi i tërmetit nuk është larguar ende.

Solidaritetin për t’iu gjendur atyre që kanë nevojë në këto orë të vështira e gjen që në zemër të Tiranës. Aty ku vazhdojnë të mblidhen ndihma për ata që humbën strehën nga lëkundjet tronditëse.

Për këdo që dëshiron të kontribuojë, një tjetër mundësi është ajo e platformës qeverisës E-Albania, ku është e mundur dhurimi online, kontribuohet në llogari bankare apo mund të dërgosh veshmbathje, ushqime apo të adoptosh një familje.

Hija e tërmetit vijon ende të ndihet në rrugët e Tiranës edhe gjatë ditës. Rikthimi në ritmin e të përditshmes do duhet të marrë edhe pak kohë.