Sizmologu: Një tërmet i kësaj madhësie, një herë në 100 vjet. U regjistruan 520 pasgoditje

Sizmologu Rrapo Ormeni deklaroi për A2 se tërmeti i fortë që goditi Shqipërinë dhe që ka shkaktuar deri tani 26 viktima të konfirmuara, ndodh një herë çdo 100 vjet.

Gjithashtu, ai theksoi se deri tani “janë regjistruar mbi 520 goditje, që, përveç tërmetit të orës 7 të ditës së djeshme, kanë qenë me magnitudë më të vogël se 5 e shkallës Rihter”.

Ormeni thekson se “seria tërmetore është kompletuar tashmë”.

“Tërmetet nuk parashikohen, por nga vijueshmëria e pasgoditjeve mendojmë se nuk do të ketë tjetër tërmet të madh. Tërmete të kësaj madhësie ndodhin çdo 100 vjet zakonisht”, thekson Ormeni.

“Edhe gjatë natës së mbrëmshme ka pasur pasgoditje, por kanë qenë më të vogla se 4. Ishte tërmet historik sa i përket madhësisë dhe dëmeve njerëzore e materiale. Mund të themi që aktiviteti në atë zonë po shuhet, duke u nisur nga pasgoditjet që po vijojnë. Por, një tërmet i kësaj madhësie, do të sjellë edhe pasgoditje në ditët në vijim, por që nuk do të shkaktojnë dëme. Është thjesht çlirim energjie sizmike”, shpjegoi sizmologu.