Bashkë në dhimbje, sipërmarrësi shqiptar në Boston: Janë mbledhur mbi 1 mln dollarë

Në këtë situatë të vështirë që po kalon vendi, ka pasur një solidarizim të të gjithë shqiptarëve kudo ku ndodhen.

Shqiptarët e diasporës vazhdojnë fushatën për grumbullimin e fondeve për familjet e prekura nga tërmetet e fuqishëm.

Në një lidhje të drejtpërdrejtë në A2, sipërmarrësi shqiptar në Boston dhe drejtues i fondacionit “Global Albanians”, Mark Kosmo, u shpreh se diaspora ka arritur të mbledhë deri tani më shumë se 1 milionë dollarë për t’u ardhur në ndihmë të prekurve nga tërmeti.

“Jemi shumë të prekur me atë që ka ndodhur në Shqipëri. Njerëzit janë shumë të mobilizuar për të mbledhur fondet. Nga Amerika janë mbledhur disa milionë dollarë”.

Më tej, ai theksoi se kjo nismë duhet të vazhdojë deri në fund të këtij viti dhe më pas të nisë zbatimi. Për të, ky mund të jetë një moment historik për diasporën që t’i vijë në ndihmë shqiptarëve. “Unë mendoj se deri në fund të vitit të mblidhen fonde dhe më pas të mendohet për zbatim. Ne nuk kemi eksperiencë me këtë punë, për zbatimin pas tërmetit. Mendoj se duhet të tregohemi shumë të kujdesshëm. Duhet të krijojmë një komision global që të jetë një organ i mirëorganizuar. Kjo mund të jetë një pikë historike për Shqipërinë, për organizimin e diasporës. Ne duhet të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin”, tha Kosmo në A2.