Frika nga tërmetet, Kombinati kërkon garanci për jetën

Sa herë që në Shqipëri bien tërmete, vihet në diskutim vlera e jetës së shqiptarëve dhe siguria e ndërtesave të tyre.

Lëkundjet e shtatorit sollën dëmtime të rënda në Kombinat dhe asokohe Aziz Muçalla kërkonte garanci për jetën: “Kërkojmë specialistë që të na thonë nëse banohet apo jo këtu”.

Mesditën e kësaj të mërkure, apeli i tij nuk ndryshonte shumë: “Nuk kemi pse jetojmë me vdekjen, të përcaktojnë ekspertët se çfarë duhet bërë me këtë pallat”.

Edhe banorët e tjerë të kësaj lagjeje shprehen të shqetësuar për situatën.

Në momentet e tërmetit të 26 nëntorit, dy motrat Xhesi dhe Sabina Biqiku dhe nëna e tyre, Rozeta, në tentativë për t’u larguar nga pallati, u goditën nga disa tulla që ranë nga lart dhe mbetën të plagosura rëndë në kokë dhe pjesë të tjera të trupit.

Të treja po marrin mjekimin në Spitalin e Traumës, ku njëra nga motrat do të dërgohet në Turqi. Pak më tutje, një ndërtesë 3-katëshe rrezikon të shembet. Banorët nuk janë të sigurtë.

Në total, në zonën e Kombinatit u dëmtuan në total 30 ndërtesa, ndërsa zjarrfikësit dhanë ndihmën e tyre për operacionet e kërkim-shpëtimit në Durrës.

E në kohën kur lëkundjet e tërmeteve nuk kanë të ndalur, banorët e Kombinatit, por edhe të zonave të dëmtuara, vijojnë të kërkojnë shpjegime për cilësinë e ndërtimeve, në mënyrë që jeta e tyre të mos jetë e rrezikuar vazhdimisht.