Kërkonte kontribute për të prekurit nga tërmeti, arrestohet mashtruesi nga Lezha

MB ARRESTOHET PLANAJ frame 425 1100x620

Policia e Shtetit njofton se në bashkëpunim me strukturat kundër krimit ekonomik dhe ato kundër krimit kibernetik ka zbuluar një rast të përfitimit nëpërmjet solidaritetit për të ndihmuar familjet e prekura nga tërmeti.

Në prangat e policisë ka rënë 30-vjeçari Arjan Meli nga Lezha, i cili dyshohet se ka hapur një profil me emrin “Rilindje” në Facebook nga ku iu bënte thirrje qytetarëve që të kontribuonin me vlera monetare në dy numra llogarie bankare.

Sipas policisë, numrat e llogarisë ishin llogari private të këtij shtetasi dhe se gjatë kësaj kohe të shkurtër qytetarë të ndryshëm kanë rënë pre e këtij mashtrimi duke bërë derdhje shumash të ndryshme.

Menjëherë policia është vënë në ndjekje të këtij rasti dhe ka arrestuar 30 vjeçarin Meli, si dhe ka marrë masa për bllokimin e llogarive bankare. Pas këtij rasti, Policia iu bën thirrje qytetarëve që të sinjalizojnë çdo lloj abuzimi të ngjashëm në këto momente të vështira.