Lëkundjet e fundit në Durrës, ministrja Manastirliu: Spitali nuk ka dëme strukturore

Nuk ka qetësi në Shqipëri, pasi lëkundjet e tërmetit janë ndjerë sërish në Shqipëri rreth orës 11:54. Lëkundjet kanë zgjatur për disa sekonda dhe sipas raportimeve paraprake ka qenë i magnitudës 4,9.

Tërmeti ka pasur epiqendrën në detin Adriatik, 19 km në verilindje të Shijakut dhe 39 km në perëndim të Tiranës. Lëkundjet janë ndjerë edhe më shumë për faktin se thellësia e tij ka qenë vetëm 2 km.

Si pasojë e tërmetit është raportuar për godina të dëmtuara në zonën e Urës së Dajlanit dhe në Golem, por nuk ka ende një konfirmim nga Emergjencat Civile. Probleme janë raportuar edhe në spitalin e Durrësit.

Probleme u raportuan edhe për vetë godinën e spitalit të qytetit. Ministrja Ogerta Manastirliu tha se gjendja e godinës së spitalit është duke u vlerësuar. “Do të merret një vendim në kohën e duhur, pa përhapur panik te qytetarët”, tha ajo.

Në një dalje të dytë, ministrja, bashkë me inxhinierin që kishte kryer verifikimin e godinës, tha se spitali nuk ka dëme strukturore, ndërsa pjesa tjetër është plotësisht e rikuperueshme.