Pallatet e dëmtuara, banorët rrezikojnë për të shpëtuar plaçkat

Tërmeti ka lënë gjurmët e tij kudo në trupin e këtij pallati në rrugën “Hysen Kërtusha” në Durrës. Një pjesë e mureve të apartamenteve kanë rënë poshtë dhe janë një rrezik i vazhdueshëm për kalimtarët dhe automjetet. Por edhe pse mund të kenë humbur shtëpinë, disa banorë po përpiqen të shpëtojnë ç’është e mundur.

Në brendësi të pallatit, dëmi është edhe më i dukshëm. Por ende shumë persona sfidojnë shanset e të mbeturit të bllokuar brenda tij, teksa ngjisin e zbresin shkallët të ngarkuar me plaçka. Lëkundjet kanë fshirë muret e në disa prej apartamenteve duke i zbuluar ato nga jashtë.

Numri i pallateve dhe banesave të tilla të dëmtuara rëndë është i lartë, veçanërisht në zonën e Plazhit në Durrës. Një pjesë e familjeve kanë vendosur të qëndrojnë pranë shtëpive të tyre edhe gjatë natës, duke refuzuar qëndrimin në kampe apo hotele.