Policia procedon penalisht administratorët e një portali: Publikuan lajme të pavërteta

rrrrrrrrrrrrr 1 1100x620

Kryeministri Edi Rama e paralajmëroi që në orët e para të mëngjesit, në mbledhjen e qeverisë, se kushdo që dispononte një kanal komunikimi dhe e përdorte atë për lajme të pavërteta apo për përhapje paniku do të përballej me mbylljen, bazuar edhe në shpalljen e gjendjes së emergjencës.

Pasditen e së enjtes, Drejtori i Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare  në Policinë e Shtetit Lutfi Minxhozi, në një deklaratë për shtyp deklaroi se janë proceduar penalisht administratorët e një faqeje interneti për publikimin e njoftimeve të rreme në rrjetet sociale.

Procedimi penal nisi për shtetasit Erland Dalliu, 29 vjeç banues në Tiranë dhe Gentian Çengeli, 39 vjeç të cilët akuzohen për përhapjen e panikut në publik përmes publikimit të lajmeve destabilizuese.

“Konkretisht, kjo faqe në datën 28.11.2019  ka shpërndarë një lajmërim, në të cilin aludohet për një numër të madh viktimash të gjendur në morgun e Tiranës”, deklaroi zyrtari i lartë i policisë, Lutfi Minxhozi.

Policia e Shtetit fton median dhe qytetarët që për çdo situatë e cila mund të ngrejë dyshime ti drejtohen Policisë së Shtetit dhe institucioneve të tjera shtetërore për të marrë informacion zyrtar.