Solidaritet për tërmetin, dhurohen mbi 2,6 mln dollarë nga fushatat online

Shqiptarët brenda dhe jashtë vendit janë bërë bashkë për të ndihmuar në përballimin e emergjencës nga tërmeti i 26 nëntorit. Krahas kontributeve në ushqime dhe veshje, mbi 30 mijë persona kanë vendosur të mbështesin financiarisht për strehimin dhe rindërtimin e banesave për të prekurit.

Online aktualisht janë aktive të paktën 80 fushata për mbledhje fondesh, ku më të mëdhatë ajo e organizuar nga Fundjavë Ndryshe me mbi 1,4 milionë dollarë të mbledhura që do të përdoren për ndërtimin e shtëpive, dhe ajo nga Elvis Naçi me rreth 570 mijë dollarë.

Pjesa më e madhe e parave është mbledhur nga Diaspora Shqiptare, veçanërisht nga komunitetet nga Shtetet e Bashkuara, por edhe Britania e Madhe, Gjermania, Australia dhe më gjerë.

Paralelisht mbledhja e fondeve po bëhet edhe në portalin shtetëror e-Albania, ku kanë kontribuar rreth 1200 donatorë drejtpërdrejt përmes aplikacionit, apo përmes llogarive bankare të vënë në dispozicion.

Për këtë kontribute, bankat tregtare kanë deklaruar se nuk do të aplikohen komisione.