Tërmeti, të pabanueshëm 28 pallate dhe qindra banesa në Qarkun Lezhë

Tërmeti i 26 nëntorit, përveç Qarkut të Durrësit, ka shkaktuar probleme edhe në zona të tjera. Një prej tyre është Qarku i Lezhës.

Grupi i emergjencave në këtë qark ka verifikuar situatën, nga ku kanë dalë dhjetra pallate dhe banesa private me probleme, ndërsa mbi 2500 banorë kanë nevojë për strehim dhe ushqim.

Më konkretisht, më e dëmtuar rezulton Bashkia e Kurbinit, ku janë dëmtuar dhe cilësuar si të pabanueshme 28 pallate me 560 apartamente si dhe 75 banesa.

Në Bashkinë e Mirditës janë konstatuar dëmtime të lehta dhe të mesme në 13 pallate, ndërsa në 50 banesa janë konstatuar dëmtime të mesme dhe të rënda.

Më e stabilizuar paraqitet situata në Bashkinë e Lezhës, ku nuk janë konstatuar banesa të pabanueshme. Por, pavarësisht situatës paraprake në Bashkinë e Lezhës, shtabi i Emergjencave Civile ka kërkuar ardhjen e grupeve të verifikimit të banesave në të gjithë Qarkun e Lezhës dhe veçanërisht në zonat ku ka patur probleme.

Në këtë qark janë ngritur 6 qendra akomodimi me rreth 35 çadra, ndërsa 100 familje janë akomoduar tek të afërmit e tyre.