49 viktima nga tërmeti, ndërpritet operacioni i kërkimit te “Mira Mare”, rinis nesër

Ora 20:30 – Rama: Të shtunën shpallim gjendjen e jashtëzakonshme edhe në Lezhë

Kryeministri Rama njoftoi se të shtunën edhe Lezha do të përfshihet në perimetrin e gjendjes së jashtëzakonshme. Ai e shoqëroi njoftimin me këtë video nga një inspektim që bëri në qytetin e Lezhës, ku u takua edhe me disa banorë, duke përsëritur lutjen për durim. (Lexo më shumë)

Ora 18:20 – Skuadra e kërkim-shpëtimit e përbërë nga francezë dhe zviceranë kanë vendosur të ndërpresin kërkimet te rrënojat e hotelit “Mira Mare”, duke ia lënë vendimin përfundimtar për të vazhduar kërkimet ose jo. Autoritetet shqiptare kanë vendosur pezullimin e kërkimeve për sonte, por ato do të rifillojnë nesër.

Ora 17:15 – Vijon operacioni i kërkim shpëtimit në rrënojat e hotelit “Mira Mare” në Durrës, ku dyshohet se gjendet të paktën edhe një person nën rrënoja.

Në këtë operacion janë angazhuar ekspertët shqiptarë, italianë dhe francezë, ndërsa dy ekipet e fundit u zëvendësuan me ekipet malazeze dhe serbe që kanë kërkuar gjatë paradites dhe mesditës.

Ora 15:56 – Ushtria e Kosovës nisi kontingjentin me pajisje për strehim në Shqipëri

Mësohet se gjatë mesditës së të premtes, Ushtria e Kosovës ka nisur një kontingjent me pajisje strehimi në drejtim të zonave të prekura nga tërmeti në Shqipëri.

“Me kërkesë të Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë dhe me urdhër të Komandantit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjeneral lejtnant Rrahman Rama, FSK-ja ka nisur sot kontingjentin e parë me pajisje ushtarake fushore.

Ora 15:14 – Erdogan, ”500 banesa për shqiptarët e prekur nga tërmeti’’

Turqia do të ndërtojë  500 banesa për shtetasit shqiptar të prekur nga tërmeti i 26 nëntorit. Lajmin e bëri të ditur presidenti Rexhep Taip Erdogan gjatë një fjalimi në universitetin Marmara në Stamboll. ‘’Shpresojmë që ekipet tona do të kryejnë punime në vendet e përshtatshme dhe si vëllezër turq, do të ndërtojmë atje 500 shtëpi’’, tha Erdogan.

Ora: 15:13 – Sizmologu gjerman: Skenari i një tërmeti më të fortë, i pagjasë

Një tërmet i fortë ndikon jashtë mase në tendosjen e terrenit në afërsi të lëkundjeve, thotë për “Deutsche Welle”, Profesori Federik Tilmann, drejtues i sektorit të sizmologjisë në Qendrën gjermane të Studimeve Gjeologjike (GFZ) në Potsdam.

“Aty ku tensionet në tokë rriten, mund të shkaktohen tërmete të tjera, të ashtuquajturat tërmete pasuese. Në përgjithësi në ditët në vijim aktiviteti reduktohet shpejt, pastaj më me ngadalë dhe për këtë ka edhe prognoza me 6 tërmete pasuese me magnitudë më të madhe se 4,5”, tha Tilmann. (Lexo të plotë)

Ora 14:29 – Pas shpalljes së gjendjes së emergjencës edhe në Laç, Bashkia ka publikuar edhe numrin zyrtar të godinave të pabanueshme. Sipas njoftimit bëhet fjalë për 22 pallate dhe 75 banesa private.

Ora 14:09 – Dyndje në aeroport, shqiptarët fluturojnë drejt të afërmve

Ora 13:55 – Çako: 7000 është numri i personave të strehuar

Drejtori i Emergjencave Civile, Haki Çako, theksoi se janë 7000 personat e strehuar në hotele, palestra, shkolla dhe ambiente të mbyllura dhe të sigurta.

“Po shfrytëzojmë të gjitha kapacitetet e mundshme dhe falenderoj të gjitha subjektet dhe qytetarët që kanë vënë në dispozicion mundësitë e veta. Akomodimi po vazhdon”, u shpreh Çako ekskluzivisht për A2.

13:44 – Bashkia e Laçit: 75 banesa dhe 22 pallate janë të pabanueshëm.

13:10 – Durrës, banorët në radhë për të marrë ndihma

Pranë stadiumit “Niko Dovana” shumë persona po mbajnë radhë për ndihma, ku aktualisht po shpërndahen vetëm sanduiçë, ujë dhe qumësht.

12:50 – U jepet lamtumira e fundit banorëve të Thumanës, të cilët humbën jetën nga tërmeti

12:22 – Bilanci i të lënduarve, 62 janë ende shtruar në spital, 900 numri i përgjithshëm

Është në përditësim të vazhdueshëm numri i të lënduarve pas goditjeve të tërmetit në 26 nëntor.

11:50 – Sot, në orën 20:00, Ramë Lala niset drejt Bolonjës për mjekim të specializuar

11:39 – 17 ndërtesa të identifikuara shumë të rrezikshme në Durrës që duhen shembur.

11:30 – Nis riparimi i dëmeve te Spitali i Durrësit

Reparti i Urgjencës në Spitalin e Durrësit ka nisur të rikonstruktohet pas dëmtimeve që ka marrë nga tërmetet e ditëve të fundit.

11:19 – Xhaçka: Dhjetëra pallate dhe banesa presin ekspertizën, po marrim masa në çdo zonë të prekur

Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka në një deklaratë për shtyp ka radhitur masat e marra për të përballuar tërmetin.

11:08 – Te “Mira Mare”, ku dyshohet të jetë një person nën gërmadha por kërkohet prapë me qen nuhatës.

10:52 – IKMT nis shembjen e 4 pallateve të shkatërruara në Thumanë

Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) ka nisur punën për shembjen e katër pallateve në Thumanë të cilat u shkatërruan nga tërmeti që la pas 48 të vdekur dhe mbi 750 të plagosur.

10:07 – Përvetësuan pakot ushqimore të ndihmave, arrestohen dy policë dhe një zjarrfikës

Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) arrestoi dy punonjës policie dhe një punonjës të Shërbimit Zjarrfikës, si edhe procedoi penalisht 2 shtetase për veprat penale të “Mashtrimit” dhe “Shpërdorimit të detyrës”.

09:45 – Psikiatrja: Ankthi është normal, duhet t’i rikthehemi gjërave të përditshme

Psikiatrja Arjana Rreli, e ftuar në studion e “Dita jonë” në A2 dha disa këshilla mbi atë që duhet të bëjmë pas tërmetit të fortë që goditi vendin tonë përpara 3 ditësh dhe pasgoditjeve që kanë frikësuar njerëzit.

09:15 – Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka mbërritur në Durrës.

08:53 – Grupet e huaja të kërkim-shpëtimit që po punojnë aktualisht janë ato serbe dhe malazeze, në hotelin Mira Mare, ku mendohet se ka një trup të pajetë në rrënoja.

08:00 – Shpallet gjendja e jashtëzakonshme edhe në Laç

Kryeministri Edi Rama ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme edhe në qytetin e Laçit.

Ora 07:30 – Rama: Skuadrat tona të shpëtimit dhe urgjenca kanë qenë mbresëlënëse

Kryeministri Edi Rama, gjatë mbledhjes së tij të qeverisë në orën 07:00, deklaroi se ësht krijuar një ide e gabuar se operacionet e kërkim-shpëtimit nisën vetëm kur erdhën ekipet e huaja. Por, sipas kryeministrit, kjo nuk është e vërtetë.

Gjithashtu, kryeministri theksoi se deri tani, viktimat nga tërmeti janë 49.

Ora 07:00 – Aktualisht, operacioni i kërkimit vijon te “Mira Mare”, në Durrës.

Ora 00:14 – Konfirmohet se pak minuta më parë kanë dalë të pajetë një trup te ish-Këneta dhe një te lagjja 6 (dy gjelat). Në këtë mënyrë rritet edhe më tej numri i viktimave, duke shkuar në 48.