Durrësi mes rrënojash, shtëpitë e rrezikuara, qindra familje pa strehë

Durrësi është një qytet fantazmë në këto ditë pas tërmetit. Asnjë zonë nuk është më pak e prekur se tjetra, teksa qindra ndërtesa mbajnë dëshminë e lëkundjeve të forta. Nga përllogaritjet e para janë mbi 40 ndërtesa të planifikuara për t’u shembur në të gjithë qytetin, por numri mund të rritet eksponencialisht.

Krusel Pirmin është një prej inxhinierëve zviceranë në terren që po inspekton së bashku me palën shqiptare ndërtesat në rrezik. 

“Ndërtesat totalisht të dëmtuara ose gjysmë të dëmtuara janë ndonjeherë shpesh të vështira për t’u vlerësuar. Zakonisht ju mund ta shikoni se askush nuk mund të jetojë më atje, por ne përpiqemi shumë sepse është një vendim i vështirë sepse njerëzit kanë humbur shtëpitë e tyre. Për këtë, ne duhet të inspektojmë dhe bëjmë vlerësimet e duhura. Së bashku me inxhinierët shqiptarë ne po përpiqemi të japim këshilla se si të sillemi dhe themi nëse është e mundur që dikush të qëndrojë brenda”, u shpreh inxhinieri zviceran.

Vetëm pak metra larg shtëpisë së familjes Lala, një tjetër tragjedi mund të kishte ndodhur. Kolonat e kësaj shtëpie nuk kanë përballuar lëkundjet e tërmetit, duke bërë që shtëpia të fundoset. Pronari i saj shprehet i keqardhur sepse mund të ishte parandaluar lëndimi i familjarëve të tij.

“Ka pasur disa plasaritje te pjesa e shkallëve, por dukeshin sipërfaqësore dhe joserioze. Nuk na kanë erdhur ende në shtëpi për ekspertizë, kam shkuar unë dhe kam bërë deklarimin dhe dërguar disa foto. Edhe mund të parandalohej. Për momentin po mendojmë ende që shyqyr që shpëtuam.”

Edhe banorë të tjerë shprehen pas 21 Shtatorit askush nuk erdhi të inspektonte ndërtesat që kishin dhënë shenja krisje. Sot ata janë edhe më të rrezikuar.

Ndërtesat e parikuperueshme në zonën e ish-kënetës janë të shumta. Sipas ekspertëve të huaj, nuk është treguar kujdesi i nevojshëm gjatë ndërtimit. Familjet këtu kanë humbur kursimet e një jete, por përsëri një pjesë kërkojnë të shpëtojnë qindarkat.

Inspektimet vijojnë me ritme intensive në të gjithë qytetin, teksa pritet që dhjetëra inxhinierë të tjerë t’u bashkohen aksionit për vlerësimin dhe rindërtimin. Në rrënoja janë kthyer edhe disa prona shtetërore, si magazina e Portit të Durrësit që tashmë do të shembet. Qindra biznese kanë ndalur punën, aq sa në Durrës nuk ka as furra buke hapur. Fatura financiare do të kërkojë kohë dhe rindërtimi i qytetit mijëravjeçar akoma më tepër.