Emergjencat Civile, A2 brenda në kampin e italianëve

Pas tërmetit të orës 03 e 54 minuta të së martës, bota zgjati dorën e solidaritet për të ndihmuar Shqipërinë. Shume shtete, si Kosova, Italia, Turqia, Greqia e deri tek Izraeli i largët treguan gatishmërinë për të bashkuar forcat me mjetet dhe ekspertizën e tyre.

Teksa emergjencat shqiptare vuanin sa nga mungesa e përvojës, aq edhe nga organizimi i dobët, armata e huaj dha shembullin më të mirë për të përballuar situata të tilla. Brenda 24 orësh, trupat italiane ngritën në Portin e Durrësit një qytezë të vogël.

“Kemi ardhur më datë 26 nga komanda e Barit në Itali dhe kemi sjellë suportin logjistik. Duhej së pari të vendosnim personelin mbështetës, duke vënë fjetoret, banjat, kuzhinat. Kjo është e parashikuar për të akomoduar 40 persona për çdo strukture.”

Diferenca në terren u pa qartë. Menjëherë pas ardhjes së specialistëve, operacionet e shpëtimit u bënë me shpresëdhënëse.

“Jam praktikisht italiani i parë që erdhi. Erdha me helikopter, mëngjesin e 26-ës nga Bari, bëra lidhjet dhe planin për të organizuar skuadrat operative dhe ndërtimin e kampit bazë që ju po shihni tani. Organizohet duke planifikuar, që përpara se të ndodhë ngjarja, duke menduar se çfarë burimesh duhen në njerëz, mjete dhe procedurat që do të ndiqen për të përballuar sa më mirë situatat kritike si kjo në Shqipëri. Na kanë pritur me shumë mirësjellje dhe mikpritje veçanërisht nga popullata. Njerëzit na kanë takuar, na kanë falenderuar, na kanë ofruar edhe kafen, pa na lënë të paguajmë. Ka pasur një sinergji të mirë midis dy kombeve tanë” u shpreh një nga vullnetarët italianë.

Teksa kampet shqiptare vuanin për të siguruar edhe shërbimet bazë, fqinjët kishin menduar për gjithçka.

“Djathtas kemi kampin e USER, që janë ekipet e specializuara për ndërhyrjet në rrënoja. Ata janë praktikisht autonomë, si nga ana operacionale dhe logjistike. Pastaj kemi tendën e komandos që është pozicioni kryesor strategjik ku merren vendimet dhe janë komandantët e operacioneve dhe kampit. Këtu na vijnë të gjitha komunikimet, si nga Prefektura e Durrësit ashtu edhe nga pozicionet operative. Kjo është praktikisht një zyrë e lëvizshme me kompjuter, radio, lidhje interneti, Dhe na lejon shumë operacione, Është si të jesh në zyrë, por zyrë me rrota për ta zhvilluar këtë aktivitet kudo.Këtu përgatiten vaktet, sigurisht kuzhinë italiane, kemi boshatisur praktikisht të gjitha dyqanet e makaronave këtu në Durrës, aq sa u detyrua erdhi helikopteri për të na sjellë pasta. Makaronat kanë karbohidrate dhe japin energji në këto situata, por kemi një dietë të ekuilibruar me fruta, perime. Këtu kemi tendat që mund të përdoren si fjetore, por edhe si sallë ngrënieje për të konsumuar vaktet të mbuluar. Sigurisht që kanë instalime elektrike, çdo gjë është e ngrohur dhe me kondicioner. Kjo është nxehtësi për të përballuar dimrin, dhe në verë përballohet mirë vapa. Çdonjëri prej këtyre moduleve mban 40 persona dhe ne kemi 3 të tilla, pra për 120 veta. E kemi montuar në 24 orë, kështu që nga momenti që erdhëm, pas 24 orësh mund të akomodoheshin 120 persona”, shtoi ai.

Italianet na tregojnë se ky organizim është standard për vendet e Bashkimit Europian. I gjithë stafi dhe makineritë janë në çdo moment në gatishmëri dhe veprojnë në harmoni të plotë me të gjitha strukturat shtetërore. Por këto të fundit, ende stërmundohen me operacionet e tyre bazike, si ushqimi i forcave të ushtrisë, zjarrfikësve dhe policëve që shërbejnë prej ditësh në terren me orë te zgjatura.