Ministri Çuçi për A2: Ka nisur verifikimi i dëmeve, kemi ekspertizën më të mirë – A2

Ministri Çuçi për A2: Ka nisur verifikimi i dëmeve, kemi ekspertizën më të mirë

Ministri fuqiplotë i ngarkuar nga Këshilli i Ministrave për menaxhimin e krizës së shkaktuar nga tërmeti në qarkun e Durrësit, Blendi Çuçi foli në A2 për hapat që janë duke u ndërmarrë deri në këto momente për përballimin e situatës së vështirë pas lëkundjeve të forta sizmike të 26 nëntorit.

Çuçi tha për gazetarin Julian Kasapi se aktualisht ka nisur procesi i verifikimit të dëmeve në terren dhe beson se ai do të jetë shumë i mirë duke parë dhe praninë e ekspertëve të huaj në grupet e punës.

“Duhet të bëjmë vlerësimin e dëmeve që ka sjellë tërmeti. Kërkon një koordinim dhe organizim shumë të mirë. Është proces i rëndësishëm, verifikimi i dëmeve që të kemi një panoramë sa më të vërtetë të asaj që shkaktoi tërmeti. Kemi nisur verifikimin me grupe mikse, shqiptarë dhe të huaj e përfaqësuers të pushtetit vendor. Besoj se do kemi një ndër proceset më të mira sepse po marrim ekspertizën e të huajve që merren vetëm me këtë lloj çështje”, tha Çuçi.

Më tej, ministri i Jashtëzakonshëm foli dhe për çështjen e ndihmave dhe rastet e abuzimeve me to, ku janë regjistruar persona që i kanë përvetësuar.

“Në situata të tilla ka fluks ndihmash përtej normales kështu që mund të jenë të pranishme dhe fenomene të kësaj natyre. Po përpiqemi ta kanalizojmë çdo ndihmë përmes Rezervave të Shtetit për të shmangur çdo abuzim. Kemi ngritur strukturat përkatëse për kontrollin e këtyre ndihmave”, u shpreh Blendi Çuçi.

Shkarkoni aplikacionin e A2