Siguria e ndërtesave, ekspertët: Institucion shtetëror për certifikimin e tyre

Pas situatës së rëndë të krijuar nga tërmeti i 26 nëntorit dhe post goditjeve që ende vijojnë, inxhinierët e ndërtimit i rekomandojnë qeverisë ngritjen e një institucioni shtetëror që të certifikojë nga pikëpamja e sigurisë çdo ndërtim.

“Po ballafaqohemi me një situatë emergjence të shpallur tashmë zyrtarisht, që do të thotë se i gjithë shteti angazhohet. Në bazë ligjore të detyron të fillosh në plan kombëtar në procedurë, një institucion që do të bëjë certifikimin e riskut sizmik në të gjitha ndërtesat”, shprehet Arben Meçe, inxhinier ndërtimi.

Sipas inxhinierit Arben Meçe, godinat që janë dëmtuar në qarqet e Durrësit dhe Tiranës janë ato të ndërtuara pa standardet e duhura, ndërkohë që pjesa tjetër, e kaluan provën. Ndaj, ai apelon qytetarët për qetësi dhe strukturat shtetërore që të verifikojnë në terren të gjitha godinat e dëmtuara.

“Një sasi e madhe objektesh janë futur në institucionet shtetërore dhe kanë marrë leje për ndërtim. Kjo provë që kaloi Shqipëria vërtetoi se ky sistem i rezistoi tërmetit me sukses”, tha inxhinieri.

Nga vlerësimet e deritanishme rezultojnë në total 1.212 godina të dëmtuara, ku pjesa më e madhe, më saktësisht 889 të tilla, janë në qarkun e Durrësit dhe 323 godina në qarkun e Tiranës. Ky është vetëm bilanci paraprak, të cilit pritet ti shtohen edhe objekte të tjera, që kanë marrë goditje dhe janë dëmtuar nga tërmeti.