Ekzekutimi në ndërtime, Rama kërkon burg: 7-15 vjet për abuzuesit

Edi Rama kërkon burg për të gjithë ata individë që shkelin normat e ndërtimit gjatë ekzekutimit të tij.

“Burg për ndërtuesit, burg për arkitektët, burg për supervizorët”, tha Rama në mbledhjen e qeverisë.

Akti normativ që do t’i referohet ndërtimeve të ardhshme, është ende duke u përgatitur.

“7-15 vjet të mos ta diskutojë njeri fare, çdo ndërtues, çdo investitor, çdo person i përfshirë në ndërtime që leja i jepet për 3 kate dhe përfundon me 8 kate”, shtoi Rama.

Të gjithë pyesin kush është përgjegjës për jetën e ndërprera të 50 qytetarëve, por Kryeministri mendon se nuk ka kujt t’ia kërkojë përgjegjësinë.

“Një abuzivizëm që ka qenë kolektiv, popullor. Sot kujt duhet t’ia kërkosh përgjegjësinë për një qytet të tërë të ndërtuar në kënetë?  Atyre që kanë vajtur dhe kanë bërë fushatë dhe kanë thënë kjo është mrekullia e tetë e botës?  Ka qenë koha. Nëse do të ktheheshim mbrapsht nuk e di nëse do të përsëritej historia. Por të mos bëjmë sikur nuk kemi qenë këtu”, u shpreh kryeministri.

Çfarë mund të bëhet, sipas Ramës, është që të paktën në të ardhmen sanksionet të jenë të tmerrshme për abuzuesit.