Ministria e Shëndetësisë: Tre pacientë janë transferuar në Itali

spitaliii 1100x620

Kryeministri Rama konfirmoi humbjen e jetëve të 50 personave nga tërmeti i fuqishëm i datës 26 nëntor, ndërsa Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se 913 persona të lënduar nga tërmeti kanë marrë ndihmë mjekësore në spitale.

Po ashtu, bëhet e ditur se gjendja e të lënduarve paraqitet e mirë, me përjashtim të një vajze në gjendje të rëndë, e cila sipas mjekëve nuk mund të transferohet jashtë vendit. Ndërsa tre pacientë janë transferuar në Itali për një trajtim më të specializuar. Në spitalin e Durrësit aktualisht po marrin trajtim vetëm tre pacientë, në gjendje të stabilizuar.

“Përpos qytetarëve që po marrin trajtim në spitale, janë rreth 1500 vizita mjekësore të kryera për banorët e prekur nga tërmeti në qendrat shëndetësore 24/7 të hapura pranë zonave të prekura. Ndërsa mbi 700 persona kanë marrë shërbimin mjekësor pranë kampit të emergjencës në Thumanë dhe pikave të ngritur në Durrës. Me ekipet e ngritura në terren është siguruar pajisja me medikamente për të sëmurët kronikë. Të gjitha spitalet dhe qendrat shëndetësore pranë zonave të prekura nga tërmeti vijojnë të jenë në gatishmëri të përforcuar”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.