Pensionistja në qendër të Tiranës: Edhe ne njerëz jemi, askush nuk e ka parë shtëpinë

Në shtëpinë që ndodhet në rrugën “Bajram Çela”, pak më lart “Xhamllikut”, vetëm 2.5 km larg qendrës së Tiranës, një zile celulari bie vazhdimisht.

Fëmijët e vetëm të Drita Xhafës, dy vajzat e saj, interesohen vazhdimisht për shëndetin e nënës. Ato kanë kërkuar azil në vendet e BE-së, ku jetojnë me familjet që kanë krijuar, ndaj nuk kthehen dot në Tiranë. Kjo 70-vjeçare, e operuar 4 herë në shtyllën kurrizore, ka humbur bashkëshortin para një viti dhe vetmia ja shton frikën.

“Atë natë u ngrita e tronditur dhe mezi kam dalë përjashtë. Shyqyr që kam komshinjtë e mirë dhe ata më kanë marrë dhe më mbajtën në makinë se sido që të jetë jashtë është ftohtë”, u shpreh e moshuara.

Të ardhurat e Dritës janë vetëm 15 mijë lekë të vjetra nga pensioni, ndërsa kërkon që edhe zëri i saj të dëgjohet në këto ditë.

“Edhe ne njerëz jemi dhe ne tërmeti na ka dëmtuar nuk është se e prishëm vetë. Njësoj si në Durrës, Thumanë apo Laç.”, shton Drita Xhafa.

Pak më tutje, në të njëjtën rrugë, kjo familje, prej 3 ditësh, jeton në makinë. “Normale që është e vështirë sepse jemi dhe me fëmijë të vegjël. I kemi të dyja katet e shtëpisë të dëmtuara. Të paktën me një leje të më ndihmojnë nuk është problem për pjesën tjetër”, deklaruan familjarët.

Në kohën kur Durrësi dhe rrethinat lëngojnë nga dramat që la pas katastrofa edhe Tirana fsheh historitë e saj të trishta, që patjetër kërkojnë zgjidhje.