Psikologët Vlorë, vëmendje të veçantë për fëmijët e traumatizuar

Mbi një mijë persona nga zonat e prekura nga tërmeti janë strehuar në hotelet e qytetit të Vlorës. Përveç akomodimit dhe trajtimit social të tyre, një vëmendje e veçantë po u kushtohet fëmijëve.

Thuajse të gjithë psikologët e shkollave, kopshteve dhe spitalit rajonal të Vlorës janë shpërndarë nëpër hotelet dhe kanë nisur trajtimin e fëmijëve të traumatizuar nga përjetimi i lëkundjeve dhe pasojave që la pas tërmeti i 26 nëntorit.

Përveç lojërave dhe aktiviteteve të ndryshme që organizohen me fëmijët, psikologët po u shpjegojnë në një mënyrë tjetër fëmijëve se çfarë është tërmeti.

Psikologët shprehen se gjendja emocionale e fëmijëve po stabilizohet me ritme të kënaqshme dhe po shkon drejt stabilizimit të plotë.