Shkon në 51 numri i viktimave nga tërmeti, ndërron jetë në spital 20-vjeçarja nga Tirana

foto 600x338

Ora 15:00 – Përcillen për në banesën e fundit 8 anëtarët e familjes Lala

Pas familjeve të Thumanës, sot ishte dita e përcjelljes në banesën e fundit për tetë anëtarët e familjes Lala, që humbën jetën në ish-Kënetë të Durrësit. Homazhet u zhvilluara paradite në pallatin e Kulturës të Durrësit, Aleksandër Moisiu, ku morën pjesë përveç të afërmve të familjes edhe qindra qytetarë të Durrësit. Pas homazheve, 8 trupat e së njëjtës familje janë përcjellë për në banesën e fundit. Ndërkohë, po ditën e sotme, është nisur për një mjekim më të specializuar në Itali, i vetmi i që arriti të dilte i gjallë nga rrënojat e vilës 4-katëshe të familjes Lala, Ramë Lala, i cili në gjendje të rëndë shëndetësore, u nis sot drejt Bolonjës për trajtim të specializuar mjekësor.

Ora 14:11 – Pasojat e tërmetit, “Caritas”: Situata në Shqipëri, më keq nga sa mendohej

Jo vetëm viktima e terror, por edhe një emergjencë humanitare. Pasojat e lëna nga tërmeti i 26 nëntorit janë serioze. Kjo konfirmohet nga “Caritas Europa”, sipas të cilës, situata në Shqipëri është edhe më e keqe nga sa mendohej, me një numër të madh njerëzish që kanë mbetur të pastrehë.

Ora 12:27 – Bilanci i tërmetit është bërë edhe më tragjik. Një 20-vjeçare, e cila kishte mbetur e plagosur, ka ndërruar jetë paraditen e së shtunës në spital, duke e çuar në 51 numrin e viktimave nga tërmeti.

Mësohet se 20-vjeçarja nga Tirana është Xhesika Biquku. Ajo ishte në gjendje kome që nga data 26 dhe ishte e pamundur që të transportohej jashtë vendit. Ajo tentoi të dilte nga shtëpia në momentin e tërmetit, ndërsa i ra një tullë në kokë.

Ora 10:54 – Emergjencat Civile: Mbyllet zyrtarisht operacioni i kërkim-shpëtimit

“Zyrtarisht, operacioni i kërkim shpëtimit në zonat Durrës e Thumanë, më të dëmtuarat nga tërmeti i 26 nëntorit ka përfunduar.

Në 3 ditë u nxorën nga rrënojat 50 viktima, përmes operacionit ku morën pjesë rreth 250 efektivë të kërkim-shpëtimit nga Shqipëria, Kosova, Italia, Greqia, Mali i Zi, Serbia, Kroacia, Franca, Turqia, Zvicra, Rumania, Maqedonia e Veriut, BE, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Izraeli, etj.

Po bëhen saktësimet e fundit të gjeneraliteteve të viktimave përmes familjarëve të tyre për të dalë më pas me listën përfundimtare emërore.

Lidhur me kërkimet e fundit në Mira Mare, nuk është gjetur asnjë trup. Pas kërkim shpëtimit në terren, ekspertë shqiptarë e të huaj nisin punën për verifikimet e dëmeve në terren”.

Ora 10:22 – 8 anëtarë të familjes humbën jetën, i vetmi i mbijetuar niset për mjekim jashtë vendit

Ramë Lala, 17-vjeçari i nxjerrë i gjallë nga rrënojat e banesës së familjes Lala, është nisur për mjekim në Itali.

Ora 10:00 – Ministria e Shëndetësisë: Një vajzë në gjendje të rëndë, tre pacientë janë transferuar në Itali

Kryeministri Rama konfirmoi humbjen e jetëve të 50 personave nga tërmeti i fuqishëm i datës 26 nëntor, ndërsa Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se 913 persona të lënduar nga tërmeti kanë marrë ndihmë mjekësore në spitale. Po ashtu, bëhet e ditur se gjendja e të lënduarve paraqitet e mirë, me përjashtim të një vajze në gjendje të rëndë, e cila sipas mjekëve nuk mund të transferohet jashtë vendit.

Ora 09:20 – Ekspertë nga SHBA për vlerësimin e dëmeve nga tërmeti

Ambasada Amerikane në Tiranë ka bërë të ditur se USAID ka nisur dje për në Shqipëri ekipe emergjencash nga Departamenti Zjarrfikës dhe Shpëtues i kontesë Fairfax dhe Departamenti Zjarrfikës i kontesë së Los Angeles. Mësohet se Këta ekspertë do të ndihmojnë në koordinimin e ekipeve ndërkombëtare në vlerësimin e dëmeve, për të përcaktuar nëse ndërtesat dhe infrastruktura kritike në zonat e prekura janë të sigurta.

Ora 08:37 – Universiteti i Tiranës pezullon mësimin deri më 6 dhjetor

Me anë të një njoftimi për shtyp, Rektori i Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni, ka bërë të ditur se është marrë vendimi që të pezullohet mësimi në Universitetin e Tiranës deri në datën 6 dhjetor, pas situatës së krijuar nga tërmeti i së martës.

Ora 08:15 – Rama në mbledhjen e qeverisë: Edhe Lezha nën gjendjen e fatkeqësisë natyrore.

Kryeministri publikoi lehtësi financiare për të pastrehët dhe shkollimin e fëmijëve, lehtësi fiskale për donatoret dhe mjetet për rindërtim.

Ora 08:00 – Kryeministri Edi Rama, gjatë mbledhjes së tij të qeverisë në orën 07:00, konfirmoi humbjen e jetëve të 50 personave nga tërmeti tragjik që goditi vendin mëngjesin e 26 nëntorin.

Ai theksoi se tashmë operacionet e kërkim shpëtimit kanë përfunduar.

Më tej, kryeministri bëri të ditur se aktualisht janë duke marrë ndihmë mjekësore në spitale 41 persona, 34 në spitalin e Traumës, 4 në Durrës dhe 3 jashtë vendit.

Kryeministri Edi Rama deklaroi se 38 jetë nën rrënoja janë shpëtuar nga trupat shqiptare, kur nuk kishin arritur ende forcat e huaja dhe nuk duhet përbaltur puna  e tyre.

“Deri në momentin e pasdites vonë kur ka mbërritur forca e parë e huaj e kërkim shpëtimit numëroheshin 38 persona të shpëtuar. 38 njerëz janë shpëtuar nga trupat tona. Nuk dua të mohoj faktin se trupat tona kanë nevojë për t’u fuqizuar në pikëpamjen e mjeteve dhe për t’u motivuar më shumë duke nisur me trajnime, nuk bëhet fjalë për të vënë dyshim dhe për të përqeshur kapacitetet e tyre. Në tërësinë  e skuadrave të integruara skuadra jonë e urgjencës është e të gjitha standardeve”, tha Rama.