Sizmologu tregon historikun e tërmeteve në Durrës

Sizmologu Rrapo Ormeni thotë njerëzit tashmë duhet t’i rikthehen përditshmërisë së tyre, pasi tashmë është vënë re se paslëkundjet po shuhen.

“Kryesisht pasgoditjet që shoqërojnë goditjen kryesore regjistrohen afër zonës epiqendrore por edhe në një rajon më të gjerë. Pra ato kanë shtrirje të tyre për disa kilometra dhe vijueshmëria e tyre në kohë, siç e shikojmë deri tani, numri i tyre ka ardhur në rënie”, tha Ormeni në një prononcim për A2.

Ky nuk është tërmeti i parë i fortë që godet qytetin bregdetar. “Durrësi është goditur historikisht nga tërmete të fortë, një para Krishtit, një në vitin 506, dhe një në vitin 1273 që është i shkruar në kronikat e kohës si një ndër tërmetet e mëdhenj të kohës që e ka bërë Durrësin të pabanueshëm në atë kohë”, thotë Ormeni.

“Pastaj ka pasur edhe tërmete të tjerë në vitin 1879 dhe në vitin 1926, i cili ka pasur karakteristika të ngjashme me të, me magnitudë 5,8 dhe disa orë më vonë 6,2 e pastaj ka vazhduar me serinë e pasgoditjeve e deri sa është shuar fare”.