Tërmeti i 26 nëntorit, shtëpi dhe ndihmë financiare për ata që humbën të afërmit

Familjet e viktimave ishin kryefjala e mbledhjes së Qeverisë. Edi Rama premtoi një trajtim të veçantë që duhet të nisë nga pajisja e tyre me një banesë të re.

“Gjithkush që hyn në këtë kategori do të trajtohet në mënyrë të veçantë. Të gjitha këto familje duhet të hyjnë në shtëpi të reja urgjent. Ne i kemi gati mundësitë për ta”, tha Rama.

Të mbijetuarit, pjesëtarë të familjeve të viktimave, do të gëzojnë një trajtim financiar gjatë të gjithë jetës, ndërsa pensionistët do të trajtohen me pensionin e posaçëm që u akordohet njerëzve me kontribute të veçanta.

Për të përballuar shpenzimet imediate, është parashikuar një fond i veçantë. “1 milionë lekë të reja, akordim direkt për çdo familje për përballimin e shpenzimeve të varrimit”.

Qeveria ka parashikuar edhe ulje fiskale për donacionet e kompanive dhe qytetarëve, ndërsa do të përjashtohen nga tatimi mbi vlerën e shtuar mjetet dhe pajisjet për rindërtimin e objekteve.