Tunelet e nëndheshme në kufi, emigrantët kalojnë “nën hundën” e ushtarëve

Me dhjetëra emigrantë janë ndaluar nga policia hungareze pasi arritën të kalojnë kufirin me Serbinë duke hapur tunele nëntokësore.

Policia bëri të ditur se patrullat kufitare arritën të zbulojnë të premten dy tunele afër Asotthalom dhe Csikeria në jug të Hungarisë, nga ku një gardh çeliku ka ndarë Hungarinë nga Serbia për katër vitet e fundit.

“Policia gjeti dy tunele të gërmuar me dorë, pa struktura mbrojtëse, në të cilët emigrantët rrezikonin jetën teksa kalonin kufirin”, thuhet në një deklaratë.

Në Asotthalom, policia ndaloi 44 emigrantë, por nuk bëri të ditur kombësinë e tyre. Më pas, u bë dhe bllokimi i tuneleve.

Gjithnjë e më shumë, tha policia hungareze, emigrantët janë duke përdorur Hungarinë si shtetin hyrës për në vendet e tjera të Bashkimit Europian.

Vetëm gjatë javës së kaluar, më shumë se 600 emigrantë u ndaluan.