Cara kthehet në Thumanë, rrëfimi i zjarrfikësit që kërkonte familjarët në rrënoja – A2

Cara kthehet në Thumanë, rrëfimi i zjarrfikësit që kërkonte familjarët në rrënoja

Operacioni i kërkim-shpëtimit në Thumanë ia ka lënë vendin një qetësie që thyhet vetëm nga zhurma e fadromave që vijojnë të prishin pallate të shpallura të pabanueshëm.

Ka kaluar një javë nga katastrofa dhe Arben Cara, shefi i repartit zjarrfikës të Kamzës, kthehet edhe një herë në vendin ku ka humbur 6 anëtarë të familjes, për të na treguar se ç ‘kishte parë kur mbërriti aty, në krye të operacionit për gjetjen e trupave.

Thumana e shkatërruar

“Për Mikel Çupin është punuar rreth 20 orë për ta gjetur. Komunikonim gjatë gjithë kohës, kërkonte ndihmë por nuk mundi t’ i mbijetojë plagëve. Tek hyrja gjetëm Linditën, ende të gjallë”, tregon ai, duke u spostuar disa metra sipër rrënojave.  

Por jeta u tregua e padrejtë me vajzën dhe nipin e saj. “Aty pamë që vajza e Linditës kishte kapur djalin 7- vjeçar, duke menduar se ndoshta mund ta shpëtonte me trupin e saj”, tregon Arbeni.

Arben Cara

Kërkimet për familjet e tjera zhvilloheshin pak më tutje.

“Është kërkuar për familjarët e humbur të familjes Greku dhe Cuka, isha aty kur disa prej tyre u gjetën nga  forcat e Kosovës dhe ato serbe”, rrëfen ai.

Thuajse të boshatisura nga njerëzit, pallatet e rrënuara të Thumanës fshehin shenjat e jetës, kujtimet, shkollën, lodrat, ushqimet apo veshmbathjet. Pak më tutje njerëz që kërkojnë e grumbullojnë sende që i përkasin epokës së tërmetit të madh.

Shkarkoni aplikacionin e A2