Nënkryetarja e Bashkisë: Nga kostot e tërmetit, buxheti 2020 i Tiranës mund të pësojë ndryshime – A2

Nënkryetarja e Bashkisë: Nga kostot e tërmetit, buxheti 2020 i Tiranës mund të pësojë ndryshime

E ftuar në A2 për të shpjeguar situatën e paraqitur në kryeqytet pas lëkundjeve të shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit, nënkryetarja e Bashkisë Tiranë Anisa Ruseti foli edhe për kostot financiare të tragjedisë, edhe pse, sipas saj, “asnjë pallat me leje nuk është afektuar nga tërmeti në Tiranë, bëhet fjalë në pjesën dërrmuese për godina të amortizuara.  

“Ne do të përpiqemi të akomodojmë të gjitha familjet e detyruara të evakuojnë me bonus qiraje, kjo do të japi mundësi familjeve të një strehimi më dinjitoz, por edhe do t’i japi kohën e nevojshme pushtetit vendor dhe qendror  që të gjejnë një zgjidhje afatgjatë për strehimin e tyre”, deklaroi Ruseti.  

Anisa Ruseti

Sipas saj, “faturat do të jenë komplekse, dhe do të lidhen jo vetëm me prishjen e pallateve por edhe me rindërtimin e tyre, me forcimin e disa strukturave, dhe kjo do të ketë kosto financiare, por vlen për t’ u theksuar që çdo institucion është angazhuar në këtë çështje. Mendoj se do të ketë një prezantim të qeverisë shumë shpejt për ta prezantuar atë në publik, në mënyrë që të gjithë, edhe Bashkia e Tiranës, të dimë si duhet të rialokojmë buxhetin e vitit 2020 në funksion të rikuperimin e pasojave të tërmetit të 26 nëntorit”.

Sipas nënkryetares së bashkisë, një ndryshim i planeve të parashikuara në buxhetin e kryeqytetit për vitin e ardhshëm është i pashmangshëm, edhe pse është ende herët për parashikime.  

“Ka kaluar vetëm një javë, kemi akorduar fondin e emergjencës. Gjendja e jashtëzakonshme nënkupton që do të duhet të përdoren jo vetëm fondet e qeverise por edhe të pushtetit lokal. Po mundohemi të maksimizojmë të dyja këto burime për të shkuar te çdo nevojë që kemi, nga pagesa e qirave te bonusi, dhe besoj se është logjike se buxheti 2020 do të ketë ndryshime nga ajo që kishim hartuar në draft”.

Shkarkoni aplikacionin e A2