Nis punën Komisioni i ri Europian, analistët: Për von der Leyen 5 vite të vështira – A2

Nis punën Komisioni i ri Europian, analistët: Për von der Leyen 5 vite të vështira

Duhej të fillonte punë më 1 nëntor, por kundërshtitë e Parlamentit Europian ndaj disa prej të nominuarve të Ursula Von der Leyen bënë që Komisioni i ri Europian të niste zyrtarisht detyrën në 1 dhjetor, në 10 vjetorin e Traktatit të Lisbonës.

Një ceremoni zyrtare shënoi fillimin e mandatit, e megjithatë në Bruksel nuk ka shumë kohë për festë, pasi sfidat janë të mëdha, ashtu si edhe pritshmëritë.

“Ne jemi gardianët e traktateve dhe në njëfarë mënyre edhe kujdestarët e shpirtit të Lisbonës. Është përgjegjësi ndaj qytetarëve europianë dhe themeluesve të unionit. Por është gjithashtu përgjegjësi kundrejt fëmijëve tanë, përgjegjësi për të lënë një Bashkim Europian më të forte nga ai që trashëguam”, deklaroi presidentja e KE, Ursula von der Leyen.

Në ceremoni morën pjesë edhe presidenti i ri Këshillit Europian, Charles Michel, kreu i parlamentit David Sassoli dhe shefja e Bankës Qendrore Europiane, Christine Lagarde. Të 4-ët u zotuan për një fillim të ri për Europën. 

“Sot ne bëjmë më shumë se sa të kthejme kokën prapa. Ne shënojmë një fillim të ri, me entuziazëm të madh dhe shpresë, pasi po e nisim mandatin 5-vjeçar në terren me solid. Ne do të avancojmë një axhendë ambicioze europiane”, tha kreu i KIE, CHARLES MICHEL.

Por analistët thonë se komisionin i ri europian dhe presidenten Von der Leyen i presin vite të vështira, veçanërisht lidhur me çështje si ndryshimet klimatike.

“Ajo i ka rritur pritshmëritë, por në të vërtetë, përmbushja e objektivëve nuk është vetëm në dorën e saj. Asaj i duhet të sigurojë një shumicë në Parlamentin Europian. Edhe për klimën ka nevojë për mbështetjen e shteteve të caktuara. E presin vite shumë të vështira’, tha anakistja Agatha Gostynska-Jakubowska.

Shkarkoni aplikacionin e A2