Pasojat e tërmetit, inxhinieri kërkon falje live në studion e A2 – A2

Pasojat e tërmetit, inxhinieri kërkon falje live në studion e A2

Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës së Inxhinierëve Konsulentë, Gëzim Beqaj, kërkoi ndjesë nga studio e A2, për përgjegjësinë e inxhinierëve për shembjen e godinave të ndryshme në zonat e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit.

“Së pari dua të kërkoj ndjesë në emër të Shoqatës së Inxhinierëve Konsulentë Shqiptarë. Edhe pse nuk kanë përgjegjësi të drejtpërdrejt, por për sa kohë bëhet fjalë për probleme inxhinierike, e ndjej si detyrim moral të kërkoj ndjesë publikut dhe atyre që iu janë shkaktuar dëme të konsiderueshme”, tha ai.

Sipas Beqajt do të duhet kohë për të nxjerrë përfundime në lidhje me përgjegjësinë e pasojave të kësaj fatkeqësie natyrore. “Problemet kanë nisur prej shumë vitesh, një seri faktorësh në harkun e 30 viteve. Nuk është vendi dhe koha për të bërë analiza, është shumë shpejt për të nxjerrë konkluzione dhe përgjegjësi”.

Ai shtoi se problematiket më të mëdha janë ndjerë në godinë të ndërtuara para viteve ’90, si dhe një pjesë e godinave të viteve të fundit, por aty janë shfaqur probleme ose të mosmenaxhimit të drejtë të disiplinës teknike, se sa zbatimi. “Do të thotë që kanë qenë përgjegjës inxhinierë të veçantë për godina që kanë pësuar dëme. Gabimet mund të jenë bërë në fazën e studimit gjeologjik, gabime në fazën e projektimit, ose në zbatim, por të gjitha bashkë, në fund fare, këto merren në dorëzim nga ai që jep lejen e ndërtimit, pra nga Bashkia”.

Shkarkoni aplikacionin e A2