Rama: Ekipet shqiptare shpëtuan 38 persona. Propozimet e Bashës? Të vijë në tavolinë – A2

Rama: Ekipet shqiptare shpëtuan 38 persona. Propozimet e Bashës? Të vijë në tavolinë

Kryeministri Edi Rama tha se propozimet e opozitës për përballimin e situatës pas tërmetit të 26 nëntorit duhet të vijnë pasi palët të jenë ulur në tavolinë.

“Do të ishte mirë që Lulzim Basha dhe forcat politike, propozimet të mos i bënin si ato të reformës elektorale, por të vinin në tavolinë. Ne nuk jemi duke bërë garë. Kjo nuk bëhet me deklarata në TV dhe aq më pak duke rimarrë partiturën e gramafonit të para kësaj ngjarjeje”, tha Rama pas takimit me ndërtuesit që u zhvillua në ambientet e Bashkisë së Durrësit.

“Është mirë që ai të vijë në tryezë. Ne me Presidentin jemi në një konflikt institucional ekstrem. Por Presidenti na thërret dhe ne shkuam aty dhe diskutuam sepse ajo që po ndodh me të është asgjë në raport me atë që na ndodhi të gjithëve”, shtoi Rama.

Ekipet shqiptare jo të pajisur mirë? Rama: Shpëtuan 38 persona

I pyetur për cilësinë e skuadrave të emergjencave civile shqiptare, që nuk ishin të pajisur po aq mirë sa ato të vendeve të tjera që erdhën në ndihmë të Shqipërisë, Kryeministri e quajti këtë një përrallë.

“E para, njësitë tona nuk janë njësitë e elitës së Francës, Italisë, Greqisë, e Turqisë, që janë të famshme në botë, që shkojnë për të bërë kërkime në gjithë globin”, tha Rama. “E dyta, unë i kam sjellë këtu në kohë rekord ato ekipe, bashkë me miqtë e Shqipërisë. Dhe e treta, 38 persona janë shpëtuar deri sa ka mbërritur ekipet e huaja”, tha Rama. “Heroi e heronjve ka qenë Luani nga Vlora, që shpëtoi dy njerëz në kushte të paimagjinueshme, madje për të dytin, shefi i misionit francez më tha se është për studim”.

Shkarkoni aplikacionin e A2