Drejt spitaleve 900 persona, 3 u dërguan në Itali – A2

Drejt spitaleve 900 persona, 3 u dërguan në Itali

Tërmeti i 26 nëntorit vuri në provë gadishmërinë e ekipeve mjekësore dhe reagimin në kohë për të ndihmuar ata që kishin më tepër nevojë.

Shefi i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, kujton momentet e para: “Lajmi i parë që mora ishte se është shembur një pallat në Durrës. Më pas, më thanë edhe për dy pallate në Thumanë”.

Më tej, Brataj tregon si nisi organizimi i punës në terren: “U aktivizuan menjëherë ekipet në terren të komunave përkatëse. U dërguan ato të Krujës, Laçit dhe Mamurrasit në Thumanë”.

Dëmtimet në njerëz janë të mëdha dhe Brataj bën bilancin: “51 viktima dhe rreth 900 persona të trajtuar në spitalet tona. Sot jemi kthyer në normalitet përsa i përket numrit të pacientëve. Patëm edhe 3 pacientë të dërguar drejt Italisë”.

Çfarë ndodhi me 3 personat që fillimisht u nxorën të gjallë nga rrënojat dhe më pas ndërruan jetë?

“Nëse pacientët janë të bllokuar ose të shtypur nga materiale inerte, pas një kohe shkaktohet një dëmtim indesh të buta dhe kjo çon në shkatërrim muskujsh”, shpjegon Brataj.

Kur ka kaluar një javë nga tërmeti, prioritet mbetet trajtimi mjekësor dhe psikologjik i atyre personave të prekur nga lëkundjet e fuqishme.

Shkarkoni aplikacionin e A2