Kreu i Bashkisë Durrës: Lagjja e re, një projekt shumë i madh. Prokuroria ka marrë dosjet – A2

Kreu i Bashkisë Durrës: Lagjja e re, një projekt shumë i madh. Prokuroria ka marrë dosjet

Kryetari i ri i komanduar i Bashkisë Durrës, Zhylien Varfaj, tha se ende nuk është përcaktuar vendi ku do të ndërtohet lagjja e re e qytetit, ku mendohet se do të vendosen banorët e godinave të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit.

“Unë nuk mund të jap vendndodhje sepse është një projekt shumë, shumë i madh, një projekt që del nga Qeveria. Ne kemi çuar të gjithë dokumentacionin e nevojshëm dhe ia kemi kaluar për të vendosur”, tha Varfaj. “Toka të lira shtetërore ka, pranë Universitetit në zonën e kënetës”.

Varfaj, i cili ka qenë për 12 vite nënkryetar i Bashkisë së Durrësit, tha se Prokuroria ka sekuestruar disa dosje pasi ka nisur hetimin mbi ndërtimet në qytet. “Prokuroria dhe oficerët e Policisë Gjyqësore kanë ardhur që pardje për të sekuestruar të gjitha dosjet. Ne po punojmë për të përgatitur këtë material tepër voluminoz për t’ia vënë në dispozicion Prokurorisë. Ata do të bëjnë një hetim, unë nuk mund të flas apriori. Këtë përgjigje do të na e japë Prokuroria”, u shpreh ai.

Kreu i ri i Bashkisë shpjegoi edhe punën që është bërë në terren nga skuadrat e ngritura për menaxhimin e situatës. “Çdo kryetar i njësive vendore ka një grup me vullnetarë, të përbërë me një inxhinier, një psikolog dhe një nga fusha e mjekësisë dhe 4-5 studentë vullnetarë nga Universiteti i Durrësit që dalin dhe bëjnë kontaktin e parë me qytetarët që kanë probleme”, tha ai. “Ndërsa pranë Bashkisë janë ngritur 9 sportele për të pritur qytetarët që plotësojnë dokumentacionin e nevojshëm”.

Shkarkoni aplikacionin e A2