107 vjetori i ushtrisë, Meta: Tërmeti nxori në pah nevojën për modernizim – A2

107 vjetori i ushtrisë, Meta: Tërmeti nxori në pah nevojën për modernizim

Presidenti i Republikës Ilir Meta uroi ushtrinë shqiptare me rastin e 107 vjetorit të krijimit të saj.

Kreu i shtetit i falenderoi FA për kontributin e tyre në mbrojtjen e Atdheut e Sigurisë si dhe në misionet e NATO.

“Falenderim dhe mirënjohje për kontributet e vyera, përkushtimin heroik dhe sakrificat sublime për mbrojtjen e Atdheut dhe Sigurisë Kombëtare, për operacionet humanitare e paqeruajtëse, si dhe për garantimin e lirisë, paqes e stabilitetit kudo në botë, nën flamurin e NATO-s”,  tha Ilir Meta.

Më tej presidenti Meta shtoi se 107 vjetori i krijimit e gjeti ushtrinë shqiptarë në krye të operacioneve për të ndihmuar shqiptarët e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit, i cili sipas tij nxori nevojën për modernizimin e FA.

“Ky 107-vjetor, i gjen Forcat tona të Armatosura, në krye të solidaritetit dhe ndihmës për vëllezërit e motrat shqiptare të prekur rëndë nga pasojat e tërmetit tragjik, duke spikatur me profesionalizmin, përkushtimin dhe dashurinë për të shpëtuar banorët e mbetur nën rrënojat e kësaj fatkeqësie natyrore shkatërrimtare, që nxori në pah dhe domosdoshmërinë e modernizimit të mëtejshëm të ushtrisë shqiptare”, përfundoi Meta.

Shkarkoni aplikacionin e A2