A mund të ishin shmangur pasojat e tërmetit? Inxhinieri tregon në A2 se si duhej vepruar – A2

A mund të ishin shmangur pasojat e tërmetit? Inxhinieri tregon në A2 se si duhej vepruar

Inxhinieri Helidon Kokona, i ftuar në Ditari në A2, deklaroi se “tërmeti i 26 nëntorit ishte shkatërrues, por nëse do të ishin konstatuar dëmtime strukturore nëpër objekte, aty nuk duheshin lejuar që të banonin njerëz”.

Sipas tij, tërmeti i parë, ai i 21 shtatorit, “ishte një tërmet që e konsiderojmë të moderuar dhe në raste të tilla, objektivi i kodit është që të ketë sa më pak dëmtime dhe këto dëmtime të mos jenë strukturore”.

“Në rast se grupi i inxhinierëve ka vendosur që objekti të jetë i banueshëm, unë do të thoja që në këtë rast, ky konkluzion vjen vetëm kur dëmet janë jostrukturore. Në 26 nëntor, tërmeti ishte më i fortë. Mendoj se me një grup ekspertize më profesional mund të ishte shmangur edhe kolapsi i atij objekti në 26 nëntor dhe njerëzit mos të futeshin brenda”, tha Kokona.

Inxhinieri u shpreh se pjesa më e madhe e objekteve të ndërtuara pas viteve 2000, konsiderohen sizmorezistuese: “Nuk kanë pësuar kolaps këto objekte, të dëmtuar janë ato objekte me muraturë tulle, të ndërtuara para viteve 2000”.

Në fund, Kokona tha se “nëse çarjet do të ishin evidentuar me kujdes në rastin e tërmetit të 21 shtatorit, dëmet nuk do të ishin këto që kemi sot”.

Ndërsa Aranita Brahaj, drejtuese e “Open Data Albania”, mendon se disa godina me probleme që pas 21 shtatorit nuk duhet të banoheshin më.

“Pse Kavalishenca u përdor si rezidencë pas datës 21 shtator? Dihej që kishte probleme. Për fat të keq, nga Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave nuk kemi të dhëna për të gjitha godinat që janë shpallur të pasigurta në 21 shtator. Edhe tërmeti i 21 shtatori nuk ishte si të tjerët, shkaktoi dëme”, tha Brahaj.

Shkarkoni aplikacionin e A2