Çuçi: 12 ndërtues në Durrës gati për të ndihmuar me dëmet, në Tiranë ende asnjë – A2

Çuçi: 12 ndërtues në Durrës gati për të ndihmuar me dëmet, në Tiranë ende asnjë

U mblodh sërish sot kabineti qeveritar për të rakorduar procesin e pas tërmetit në vendin tonë.

Ministri Çuçi teksa raportonte mbi situatën tha se vetëm në Tiranë janë 525 pallate të dëmtuara dhe 3100 banesa. Në spital janë të shtruar 26 persona që marrin ende trajtim. 6500 persona janë akomoduar në çadra dhe mbi 4000 në hotele tha ai.

“Strehimi ka shkuar 12 mijë persona që janë akomoduar në hotele, çadra, qendra sociale, palestra, etj. 4 mijë persona janë në hotele, 254 në palestra, 6.5 mijë në çadra, 395 në qendra sociale, 769 në Kosovë.  26 shkolla me 10300 nxënës janë me dëme, 15 në Durrës, 2 në Lezhë dhe 9 në Tiranë. Nga objektet 656 janë inspektuar në Durrës, 242 të pabanueshme, 27 për t’u prishur. Në qarkun Tiranë janë 525 pallate të dëmtuara dhe 3921 banesa dhe 146 biznese”, tha Çuçi

Ajo që Çuçi e vlerësoi si hap pozitiv është fakti që në qytetin e Durrësit 12 ndërtues kanë shprehur dëshirën për të ndihmuar në rindërtimin e pallateve të dëmtuara, por në Tiranë ndërkohë asnjë.

Zv. kryeministri Erjon Braçe kërkoi akomodimin në banesa të gjithë familjarëve të prekur para festës së Krishtlindjes si dhe të përshpejtohet procedura me statusin e qirasë. 

“Gjithë vëmendja duhet të përqendrohet te zonat rurale, ku njerëzit kanë preferuar të qëndrojnë pranë shtëpive të tyre. Duhet të bëhet zëvendësimi i çadrave menjëherë, që të jenë dimërore. Duhet të përshpejtojmë gjetjen e banesave me qira. Kruja, Vora, e kanë të pamundur të gjejnë vetë banesa me qira, do duhet t’i akomodojmë në Tiranë. Duhet të bëjmë zhvendosjen brenda këtij muaji dhe strehimin e këtyre personave nga hotelet në shtëpi me qira”, deklaroi zv/kryeministri.

Shkarkoni aplikacionin e A2