Inxhinieri i ndërtimit: Ndërtesat e kaluan pranueshëm tërmetin e fortë – A2

Inxhinieri i ndërtimit: Ndërtesat e kaluan pranueshëm tërmetin e fortë

Igli Kondi, inxhinier ndërtimi, i ftuar në Ditari në A2, deklaroi se “në përgjithësi, strukturat e ndërtesave e kaluan pranueshëm këtë tërmet të fortë” duke nënvizuar se “nuk është bilanc shumë i keq”.

“Duhet një analizë shumë e hollësishme nga ana inxhinierike për të kuptuar shkaqet që çuan në këto pasoja të tërmetit. Brenda tyre ka edhe gabime njerëzore, por tërmeti është një forcë e natyrës jashtëzakonisht e fuqishme. Unë theksoj fort se shkaqet e këtyre shkatërrimeve duhen analizuar me shumë qetësi, imtësi dhe pa u nxituar për konkluzoinet. Në përgjithësi, strukturat e ndërtesave e kaluan pranueshëm këtë tërmet të fortë. Në Tiranë dhe Durrës mund të kemi 100 000 ndërtesa. Nga këto, u rrënuan totalisht vetëm 5. Është një sasi shumë e vogël. Më pas, ato ndërtesa të deklaruara të pabanueshme u rritën dhe jemi në 200-300 ndërtesa të pabanueshme. Unë mendoj se jemi në nivele të pranueshme, duke patur parasysh fortësinë e tërmetit. Nuk është bilanc shumë i keq”, tha Kondi.

Sipas tij, “duhet të jemi të kujdesshëm në shpalljen për shembje të ndërtesave sepse çdo ndërtesë e shembur është kosto individuale dhe për ekonominë e vendit”.

“Një ndërtesë, që të shpallet për shembje, duhet të plotësojë disa kritere. Një kolonë e dëmtuar nuk do të thotë që të shembim ndërtesën. Për vlerësimin e ndërtesave të shkojnë ekspertët më të mirë që ka vendi ynë. Ne kemi ekspertë që të shpallin me saktësi nëse një ndërtesë duhet shembur apo jo”, u shpreh Kondi.

Inxhinieri nënvizoi se inxhinierët shqiptarë bazohen në kodet evropiane të ndërtimit, pasi kodi shqiptar është i viteve ’80.

“Ne bazohemi në eurokode, ne inxhinierët kemi hyrë në Evropë në këtë aspekt. Nëse pasojat nuk janë më të rënda, kjo i dedikohet edhe faktit që inxhinierët bazohen në normative evropiane. Nëse do të ishim bazuar në normativat e vendit tonë, pasojat do të ishin edhe më të rënda”, tha Kondi.

Shkarkoni aplikacionin e A2