“Ka zona ku ekspertët kanë shkuar 2-3 herë, ndërkohë që nuk kanë shkuar fare në zona të tjera” – A2

“Ka zona ku ekspertët kanë shkuar 2-3 herë, ndërkohë që nuk kanë shkuar fare në zona të tjera”

Pas fazës së parë të emergjencës të post tërmetit të 26 nëntorit, vëmendja është fokusuar tashmë tek evidentimi në terren i dëmeve në banesa, biznese dhe infrastrukturën publike, si shkolla, institucione shtetërore apo ura.

Bilanci i fundit i dëmeve, i bërë publik sot nga qeveria, flet për 11 161 godina banimi, apartamente dhe ndërtesa tjera, të dëmtuara në nivele të ndryshme, duke filluar nga banesat e dëmtuara lehtë e deri tek ato të shkatërruara tërësisht apo të shembura. Ndërkaq, dëme të konsiderueshme ka edhe në infrastrukturën publike, si shkolla, kabinat elektrike, biznese dhe qendra shëndetësore.

Paralelisht me evidentimin e dëmeve në terren nga ekspertët dhe inxhinierët vendas dhe ata të huaj, qeveria po përpiqet që të mbledhë fondet e nevojshme për të përballuar faturën e këtyre dëmeve. 

Në studion e A2 Business Week ishte i ftuar Agim Seranaj, profesor dhe zv/dekan i Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit. Ai deklaroi se nëse do të ishin dëgjuar specialistët e vërtetë pas tërmetit të 21 shtatorit, ndoshta sot do të kishim më pak pasoja.

“Atëherë evidentimi u krye. Ajo që doja të thoja është se procesi nisi dhe mbaroi vetëm me akt-konstatimin. Nuk u bë faza e dytë, ajo e ndërhyrjeve. Ndoshta nuk u krye pasi pati një eufori që ne jemi aq të zotë sa kaluam me sukses sprovën e tërmetit. Nëse do të ishin dëgjuar specialistët, të cilët folën në media edhe pas tërmetit të 21 shtatorit, nuk do të kishim këto pasoja. Specialistët, në shtator, dolën me krenari që ne kemi projektuar shumë mirë”, tha Seranaj.

Më tej, Seranaj theksoi se nuk ka një koordinim mes grupeve të ekspertëve që shkojnë për të vëzhguar godinat e dëmtuara.

“Ka zona ku nuk kanë shkuar ende ekspertë, ndërsa në zona të tjera ekspertët kanë shkuar nga 2-3 herë, një herë grupe të huaja ekspertësh, një herë shqiptarë. Disa vënë ngjyra blu, disa jeshile… Sot më pyetën se çfarë do të thotë ngjyra bojëqiell që kishin lënë të huajt. Nuk e dija se çfarë donte të thonte”, tha Seranaj.

Ndërkohë, përsa i përket faturës financiare të tërmetit shkatërrimtar, ekonomisti Dritan Shano tha: “Nuk mund ta them pa pasur një inventar të përfunduar”.

Nërsa shtoi se “në përdorimin e fondeve të grumbulluara, ka goxha mosbesim nga qytetarët”.

Shkarkoni aplikacionin e A2