Macron: Rusia është kërcënim, ky është realiteti – A2

Macron: Rusia është kërcënim, ky është realiteti

Filloi dhe u përmbyll me përçarje. Samiti për 70 vjetorin e NATO-s që u mbajt në Londër tregoi qartazi ndasitë mes vendeve anëtare. Protagonist i ditës së dytë ishte sërish presidenti amerikan, Donald Trump.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë mbajti një darkë pune vetëm me shtetet që përmbushin detyrimin e tyre të kontributit financiar prej 2% në NATO, duke anashkaluar dhe nënvlerësuar pjesën tjetër.

Trump dhe Justin Trudeau u bënë protagonistë të një grindjeje në distancë. Kryeministri kanadez bashkë me liderët e Francës, Britanisë dhe Holandës u tallën me presidentin amerikan. Për këtë episod, Trump e konsideroi Trudon një person me dy fytyra.

Pavarësisht përplasjeve, deri diku personale, liderët diskutuan dhe për një sërë çështjesh, ndër më kryesoret marrëdhënia me Rusinë.

“Jemi të përkushtuar të fuqizojmë mbrojtjen, ndërsa qëndrojmë të hapur për dialog domethënës me Rusinë”, deklaroi Jens Stoltenberg, sekretari i përgjithshëm i Natos.

 “Rusia është një kërcënim sot në disa tema, ky është një realitet. E kemi përjetuar në aktivitetet kibernetike dhe në disa çështje që janë të përkufizuara qartësisht. Gjithashtu është një kërcënim për fqinjët e saj”, deklaroi presidenti francez Emmanuel Macron.  

Gjatë këtij samiti, Macron mbrojti sërish deklaratën e tij se “truri i NATO-s ka vdekur”, edhe pse kjo u konsiderua nga Trump si mungesë respekti dhe koment i ulët.

Turqia ishte një tjetër pikë që shkaktoi debat, pasi presidenti Tajip Erdogan kërkoi shpalljen e militantëve kurdë si grupim terrorist. Jo vetëm që kërkesa nuk është marrë parasysh, por Ankaraja u përball me kritika të ashpra të vendeve anëtare për shkak të sistemit të mbrojtjes raketore të blerë nga Rusia, që konsiderohet kërcënim për Aleancën Ushtarake.

Shkarkoni aplikacionin e A2