E quajti masakrën e Reçakut trillim, ish-ministri dënohet me dy vjet burg – A2

E quajti masakrën e Reçakut trillim, ish-ministri dënohet me dy vjet burg

Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, ka dënuar me dy vjet burg ish-ministrin e Administratës dhe Publikut Lokal, Ivan Todosijevic, për “nxitje të urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik”.

Todosijevic ishte akuzuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës, pasi që në cilësinë e ministrit të Administratës dhe Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, duke e keqpërdorur pozitën apo autorizimet e tij, me dashje kishte nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje, përçarje dhe mos durim midis grupeve kombëtare, racore dhe etnike që jetojnë në Kosovë.

Në 24 mars të këtij viti, gjatë një fjalimi në Zveçan me komunitetin serb në Kosovë kundër ndërhyrjes së NATO-s, ishte shprehur: “Arsyeja për agresionin në shtetin tonë ka qenë e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë e Metohi. Masakra e Reçakut ishte trillim. Janë terroristët shqiptarë që e trilluan gjithë këtë dhe bënë krimet më të mëdha në Kosovë e Metohi. Për këtë, sot e kësaj dite askush nuk ka dhënë përgjegjësi”.