Gaz lotsjellës, pjesëmarrje masive, Parisi për protestën “mbyll” edhe Kullën Eiffel – A2

Gaz lotsjellës, pjesëmarrje masive, Parisi për protestën “mbyll” edhe Kullën Eiffel

Kjo është greva më e madhe mbarëkombëtare ndër vite. Transporti dhe shkollat në Francë përjetuan një ngërç të përgjithshëm, ndërsa punonjësit treguan zemërimin e tyre ndaj reformës së pensioneve që rrit moshën e daljes në pension dhe redukton shpërblimin financiar.

 Mësuesit dhe punonjësit e transportit u janë bashkuar stafit të policisë, avokatëve, spitaleve dhe aeroporteve si dhe profesioneve të tjera në këtë grevë të përgjithshme.

Ata kundërshtojnë me forcë planin e presidentit Emmanuel Macron, për një sistem universal pensionesh që do të zëvendësojë 42 skemat e ndryshme që janë aktualisht në fuqi.

Sipas Yannick Drouet, Sekretar i Përgjithshëm i sindikatave, flitet për “pjesëmarrje të madhe në grevë, rreth 80% e punonjësve në total”.

Natyrisht trazirat nuk munguan në qytetet kryesore të Francës. Policia përdori gaz lotsjellës në Paris, Lion dhe Montpellier për të qetësuar manifestuesit, por kjo lëvizje nxiti dhe më shumë përleshjet.

Ndërkohë, greva e Përgjithshme po dëmton dhe turizmin në Francë. Autoritetet mbyllën kullën Eifel, ndërsa turistë të shumtë mbetën të zhgënjyer nga ky vendim. Sindikatat për mbrojtjen e punëtorëve që kanë organizuar grevën, paralajmëruan se kjo situatë mund të vijojë deri për Krishtlindje.

Macron ka bërë thirrje për dialog dhe ndërmori një nismë bashkëbisedimi. Por edhe kjo tentativë dështoi në uljen e pakënaqësive të punonjësve francezë.