Sondazh: Si ka ndryshuar figura e babait në familje ndër vite?
  • Më i pranishëm me fëmijët 31%
  • Më i zënë në punë 38%
  • Ndihmon në shtëpi 31%

1 vit A2! Faleminderit që besoni dhe që jeni pjesë e rrugëtimit të televizionit tonë

Nga A2 CNN
6 Dhjetor 2019, 11:54 | Aktualitet

Në vorbullën e zhurmshme politike dhe mediatike shqiptare trokiti një televizion i ri, degëzim i gjigandit mediat botëror CNN. Një investim i fuqishëm dhe shumë i rëndësishëm nga kompania Gener 2, por edhe një vizion ambicioz mediatik, për të cilin tregu shqiptar kishte nevojë.

Pagëzimin me logon A2 e përqafuan shumë profesionistë të talentuar të medias shqiptare, ndërkohë që strategjia e hartuar në bashkëpunimin dhe mbikëqyrje të fortë nga CNN, i dha formë një televizioni të standardeve më të larta. Pritja ishte e madhe nga publiku, por edhe padurimi ishte akoma edhe më i madh nga stafi për të sjellë një zë tjetër në treg.

https://www.youtube.com/watch?v=5vuJV9PGjFA

A2 i nisi transmetimet më 6 Dhjetor 2018, pikërisht në ditën kur protesta studentore mori formën e saj të plotë. Raportimi i drejtpërdrejt nga vendngjarja solli në ekran në mënyrë të pandërprerë, energjinë e të rinjve dhe zërat e tyre të revoltës. Një komunikim i ri televiziv, duke i dhënë vlerë raportimit nga terreni dhe duke e sjellë ngjarjen në disa këndvështrime.

Acarimi i situatës politike, me opozitën që braktisi mandatet parlamentare dhe nisi protestat disamujore, ishte një tjetër sprovë që tregoi cilësinë në raportim dhe epërsinë teknologjike që A2 ofron. Për muaj me radhë ekrani i A2 ofroi pamje të gjalla dhe dramatike të përplasjeve shpeshherë të dhunshme mes policisë dhe protestuesve. Reporterët tanë sfiduan rrezikun fizik, motin dhe orët e vona për të dëshmuar gjithë sa ndodhi.

Zgjedhjet e 30 qershorit 2019, të zhvilluara pas një muaji të tensionuar politik, ishin një tjetër sfidë e realizuar me sukses. Për 2 ditë rresht, A2 solli në ekran një transmetim maratonë nga çdo cep i vendit, ndërthurur me analiza në studio dhe intervista me protagonistët e politikës, duke ofruar raportim të shpejtë, objektiv dhe të ekuilibruar të zgjedhjeve.

Zgjedhjet në Kosovë pak muaj më pas ofruan për publikun në Shqipëri mbulimin më të plotë dhe të pa-paralelizuar në asnjë media tjetër, duke shënjuar një tjetër sukses profesional për ekipin tonë.

Raportime të drejtpërdrejta nga Uashingtoni, Parisi, Venecia, Berlini, Luksemburgu, Strasburgu, Prishtina, Novi Sadi, Ohri, Brukseli apo Mitrovica janë shprehje e përkushtimit tonë për të shkuar atje.

Por mbërritja e 2 gazetarëve tanë në kampin Al Hawl në Siri dhe gjetja e fëmijëve dhe grave shqiptare në atë vend të copëtuar nga luftërat ishte një arritje e paprecedent, jo vetëm për ne si A2, por për gjithë gazetarinë shqiptare. Për herë të parë, gazetarë nga Shqipëria u futën brenda kampit të ferrit, duke ndërmarrë rreziqe të pamohueshme, e duke kryer një detyrë profesionale dhe patriotike që nuk gjen krahasim. Për herë të parë, media shqiptare raporton nga zona lufte.

Katastrofa natyrore e tërmetit të 26 nëntorit ishte një tjetër provë për reporterët, operatorët dhe gazetarët e A2. Me qindra orë në terren dhe studio kishin vetëm një qëllim, pasqyrimin korrekt dhe me vërtetësi të shkatërrimit, dhimbjes dhe solidaritetit njerëzor që pasoi tërmetin.

Një vit televiziv është kohë shumë e shkurtër për të bërë bilance, por është vetëm fillimi i një gazetarie që do të vijojë do të vendosë standarde, në raportim, teknologji, vërtetësi, guxim dhe etikë profesionale. Për t'i sjellë publikut dhe medias shqiptare, atë që kishte munguar.

A2 erdhi për gazetari të ndërtuar mbi vërtetësi dhe profesionalizëm. Faleminderit që besoni dhe që jeni pjesë e rrugëtimit të televizionit tonë. Në 12 muajt që kaluan ju u bashkuat me ne dhe na ndihmuat të shpërndajmë në një audience më të madhe, në rritje, vizionin dhe misionin e gazetarisë.

A2 CNN Livestream

Dita jonë