Banesat e siguruara, fatura e dëmshpërblimit arrin në 12 milionë dollarë – A2

Banesat e siguruara, fatura e dëmshpërblimit arrin në 12 milionë dollarë

Rreth 12 milionë dollarë është dëmi i vlerësuar deri më tani që kompanitë e sigurimit duhet t’u paguajnë të prekurve nga tërmeti, teksa vlerësimi në terren nuk ka përfunduar.

Drejtuesi i Komitetit të Rindërtimit, Arben Ahmetaj, gjatë një tryeze me kompanitë e sigurimit, ka kërkuar që të paraqesin listat e përfituesve të dëmshpërblimit, në mënyrë që të mos ketë një faturë të dyfishtë për shtetin.

Arben Ahmetaj

Për Ahmetajn, “shifrat e dëmeve totale shkon në 12 milionë dollarë sot, me këtë vlerësim që është ende larg atij final”.  

Kompanitë e sigurimit nga ana tjetër, i kanë kërkuar qeverisë që të hartojë një ligj të posaçëm për sigurimin nga katastrofat natyrore.

“Ndërtimi i një ligji pa vonesë në mbrojtje të konsumatorëve është i domosdoshëm, përtej kostove. Sa më i gjerë të jetë ligji, aq më i ulët do të jetë primi i sigurimit, që varjon nga 10 deri në 50 euro në vit për një banese, me kompensim shumë të madh”, deklaroi Avni Ponari në emër të përfaqësuesve të kompanive të sigurimit.

Avni Ponari

Sipas të dhënave zyrtare të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, deri më tani janë regjistruar 1943 banesa të siguruara që kanë pësuar dëme nga tërmeti. Pjesa me e madhe e tyre janë të blera me kredi.