Katër të vdekur në bazën ushtarake në Florida, të panjohura shkaqet – A2

Katër të vdekur në bazën ushtarake në Florida, të panjohura shkaqet

Një tjetër tragjedi ka përfshirë një bazë ushtarake amerikane. Nga çfarë raportohet, katër persona janë gjetur të vdekur në bazën detare e Pensacola, në Florida.

Mes të vrarëve edhe autori i gjestit, i cili sipas dëshmive ka shpërthyer disa goditje në një godinë që shërben për trajnimin e ushtarakëve.

Vrasësi u bllokua vetëm nga ndërhyrja e dy ushtarakëve që arritën ta ndalin edhe pse mbetën të lënduar. Aktualisht 8 persona ndodhen të plagosura dhe janë dërguar në spital.

Ende nuk dihen shkaqet e masakrës në bazën që mban rreth 16 mijë ushtarë dhe 7400 civilë brenda perimetrit të saj.

Dy ditë më parë, një ngjarje e tillë ndodhi në Hawaii, ku një ushtarak vrau 2 civilë që punonin në një tjetër bazë të forcave amerikane.