Kryeprokurori i ri, Olsian Çela merr çelësat e zyrës për 7 vjet – A2

Kryeprokurori i ri, Olsian Çela merr çelësat e zyrës për 7 vjet

Kryeprokurori i ri Olsian Çela, një ditë pasi është votuar në Kuvend me votat e mazhorancës dhe opozitës së re, është paraqitur në Prokurorinë e Përgjithshme ku ka marrë zyrtarisht detyrën.

Olsian Çela është pritur nga Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku e cila i ka dorëzuar çelësat e zyrës për një mandat 7 vjeçar.

Në fjalimin përshëndetës, Arta Marku falënderoi stafin e saj për mbështetjen që i ka dhënë gjatë dy viteve dhe i uroi suksese pasardhësit të saj për të cilin zbuloi se e ka pasur dhe shok klase.

“Jam munduar që në ditën e parë që kam ardhur në këtë detyrë të punoj me përkushtim siç duhet të bëjë çdo zyrtar. Falenderoj prokurorët e Prokurorisë së Përgjithshme dhe stafin që më ka ndihmuar në përballimin e çdo sfide. Falenderoj përfaqësuesit e OPDAT dhe Euralius që më kanë mbështetur gjatë gjithë kohës në detyrë dhe për iniciativat që kam ndërmarrë”, u shpreh Marku.

Edhe kryeprokurori i ri, Marku vlerësoi paraardhësen e tij në krye të Prokurorisë së Përgjithshme dhe u shpreh se ka ardhur koha që ky institucion të japë kontributin e tij në sfidat që ka vendi siç është ajo e rrugëtimit evropian.

“Hyjmë në një fazë të re ku po ndërtohen institucionet e reja të drejtësi. Prokuroria ka pësuar ndryshimet më rrënjësore, kërkon një angazhim të ri për mënyrën si ky organ duhet të funksionojë. Janë mundësitë për t’i dhënë vendit një të ardhme më të mirë për të mundësuar që Shqipëria të bëhet pjesë e familjes evropiane, ku rezultatet e punës tonë kanë një vlerë shumë të madhe”, u shpreh kryeprokurori i ri.

101 deputetë votuan të enjten në Kuvend për Olsian Çelën në krye të organit të akuzës.

Burimet për A2 bëjnë me dije se pas kësaj ceremonie së bashku me Markun janë larguar dhe stafi i saj si këshilltarë, sekretarja dhe Protokolli. Më pas Arta Marku u largua nga institucioni i Prokurorisë me taksi.